Mesazhi i Pavarësisë/ Kur SHBA zbulojnë “integrimin perëndimor” të Shqipërisë

 

Deklarata e fundit e urimit e Departamentit amerikan të Shtetit, me rastin e ditës së Pavarësisë së Shqipërisë formulonte angazhimin e administratës amerikane në funksion të marrëdhënieve shumë të mira mes Tiranës dhe Uashingtonit.

Mediat u fokusuan gjatë tek mesazhet që përcillte ky mesazh urimi, duke u ndalur mes të tjerash edhe tek fjalët e mira për ecurinë e reformës në drejtësi. Në fakt në deklaratë pati edhe një detaj mes rreshtave, që duket se kaloi pa u vënë re, ndoshta edhe për faktin se ishte futur në një fund paragrafi dhe binte pak në sy.

Departamenti amerikan deklaron se “ne përgëzojmë qeverinë e Shqipërisë për përpjekjet e vazhdueshme në reformën në drejtësi dhe ndërtimin e institucioneve të forta demokratike, si dhe mbështesim hapat e Shqipërisë drejt integrimit perëndimor”. Një vështrim i kujdesshëm i formulimit të fjalëve të fundit të këtij paragrafi zbulon një modifikim në fjalëformim, krahasuar me vitet e shkuara.

Tradicionalisht SHBA e kanë parë afrimin e Shqipërisë me Bashkimin Europian, si një objektiv strategjik të aprovuar dhe të mbështetur plotësisht edhe nga Uashingtoni. Por në deklaratën e fundit, duket se togëfjalëshi “integrim europian” është zëvendësuar me togëfjalëshin “integrim perëndimor”. Një koncept i cili, i formuluar në këtë formë, përbën jo vetëm një neologjizëm diplomatik, por edhe një tezë pak të qartë.

Përtej hamendjeve të pabazuara në informacione të sakta, mund të supozohet pa shumë vështirësi se ky detaj i vogël në deklaratën amerikane mund të jetë një pasqyrim i tërthortë i raporteve aktuale jo fort të mira mes Uashingtonit dhe kryeqyteteve të kontinentit të vjetër. Mjafton të kujtohet vizita e fundit e presidentit Trump në kremtimet e përvjetorit të Luftës së parë Botërore në Paris, por edhe marrëdhëniet politike e ekonomike mes dy anëve të Atlantikut, për ta gjetur jo të rastësishëm urimin amerikan, për ta parë Shqipërinë të avancojë në “integrimin perëndimor”, e jo vetëm në “integrimin europian”!

A.Rada

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU