Mesazhi amerikan dhe ata që s’duan të dëgjojnë

Nga Skënder Minxhozi/

Misioni diplomatik i kreut të opozitës përtej Atlantikut nisi dhe mbaroi pa sjellë me vete asnjë mesazh publik për protestën e çadrës dhe bojkotin e parlamentit, reformës në drejtësi dhe zgjedhjeve, që ajo mbart me vete si objektiva parësorë. Lulzim Basha nuk qe në gjendje të citojë asnjë burim konkret në Uashington, që të ketë duartrokitur qoftë dhe indirekt atë që po ndodh sot në bulevardin qëndror të Tiranës.
Dhe kjo ka një motiv qëndror, të cilin ambasada amerikane e nënvizonte më së miri edhe në deklaratën-replikë të saj me zotin Basha. Demokracitë liberale e konsiderojnë thjesht një tabu, ndryshimin e qeverisjes jashtë kutive të votimit. Prej vitit të largët 1996, kur Shqipëria kaloi në kaos total, ato e kanë refuzuar me insistim idenë se njëra nga palët politike në Tiranë, mund të përdorë kur t’i teket mekanizmin e bojkotimit të institucioneve dhe zgjedhjeve. Së dyti, kur kësaj situate i bashkohet edhe sabotimi de facto i reformës në drejtësi – një investim strategjik afatgjatë i amerikanëve e europianëve në Shqipërinë e korruptuar të tranzicionit, atëhere shanset për një sukses diplomatik pranë kancelarive të Perëndimit merren lehtë me mend.
Abuzimi verbal dhe mendjelehtësia me të cilën kreu i opozitës Basha e komentoi para përkrahësve të tij produktin e vizitës së fundit në SHBA, mesa duket e ka detyruar ambasadën amerikane në Tiranë që të dalë e të sqarojë edhe një herë atë që në fakt ka qenë e qartë si drita e diellit, gjatë gjithë periudhës kohore të protestës: që nuk përkrahet asnjë veprim që synon të krijojë procese paralele politike, me ato që ndodhin brenda institucioneve. Që nuk përkrahet bojkoti i zgjedhjeve dhe nuk mund të shihet kurrsesi si i pranueshëm bllokimi me pasoja i reformës në drejtësi. Më së pari i Vetingut, që do të startojë pastrimin e klasës së gjyqtarëve e prokurorëve.
Mesazhi i fundit i ambasadës së SHBA me shumë gjasë do të bjerë në vesh të shurdhët brenda çadrës. Pasi kjo është strategjia e vërtetë e opozitës sot. Pra, që ta nxjerrë atë vetë, opozitën, jashtë sistemit dhe jashtë kontrollit të të gjitha filtrave e siguresave. Ndër të cilat, partnerët ndërkombëtarë, janë ndër garantët kryesorët. Situata politike bëhet kështu edhe më e rrezikshme, pasi njëra nga palët ka vendosur thjesht të mos dëgjojë dhe të mos shikojë. Të shohim edhe për sa kohë. Nuk ka shurdh më të keq, sesa ai që nuk ka dëshirë të dëgjojë, thotë proverbi.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU