Nga Ben Andoni/ Që ndërhyrja e shtetit shqiptar ishte e panevojshme për objektin fetar në Dhërmi, këtë sot mund ta artikulojë gjithkush, por që në lojë të futen lloj-lloj instancash dhe shqiptarët t’i quajnë xhihadistë, kjo vërtetë e tejkalon disi hapur, respektin ndaj shqiptarëve dhe të vetë atyre për veten e tyre. Shqiptarët, sot, dikur dhe në të ardhmen do të mbeten menefregistë për religjionin. Edhe pse një pjesë e tyre e kanë ndërtuar jetën mbi kanonet fetare, në masë shqiptarëve pak u ka bërë përshtypje mbarëvajtja e kishës, xhamisë dhe teqesë. Dhe, e kishte një arsye: sadoqë feja ishte një ilaç i mirë kundër jetës së vështirë nuk mund të ishte asnjëherë zgjidhje për varfërinë skajore të shqiptarëve. Dhe, shqiptarët vërtetë në disa vende mbaheshin me fenë, zona e Himarës, Mirdita, Kavaja, Malësia e Shkodrës dhe qyteti, ishin ndër ishujt, ku religjioni merrte vërtetë vlerë, por ngado menefregizmi ishte skajor. Jo më kot, shumë vëzhgues të huaj kanë nënëvizuar se shqiptarët dukeshin mirë si me fenë dhe pa fenë. Aqsa komunistët duket se nuk vuajtën shumë të përgatisnin fushatën e tyre të egër, që rezultoi me çmendurinë e vitit 1967, kur feja u ndalua dhe me Kushtetutë, kuptohet pas fushatave patetike të rinisë dhe popullit krejt të shpëlarë nga trutë. Vitet që kanë rrjedhur, dhe trendi i përbotshëm, ku feja po i humb masivisht besimtarët, duket se në një farë mënyre cinike i ka shkuar qëndrimit shqiptar, që në fakt u bë për një arsye aspak të mirë.
Anipse vitet e fundit përplasjet e fundit të shtetit shqiptar me fenë kanë treguar se deformimet e mëdha dhe nivelet ku mbizotëron diskursi kinse patriotik janë më të aftat për të mbuluar prapësitë, që gëlojnë nëpër qarqe, por edhe për të sjellë argumente që e largojnë vëmendjen nga realiteti. Ku për fat të keq, po futen pa asnjë logjikë dhe autoritetet më të larta të shtetit grek, duke na krahasuar me militantët e ISIS, të cilët po prishin pa mëshirë objektet e shenjta në Lindjen e Mesme dhe në Afrikë, trashëgimi kulturore e përbotshme.
Kjo, realisht, e tejkalon përfytyrimin ndaj shqiptarëve, që në histori mund të anatemohen, nëse do të duhet, vetëm për menefregizmin e tyre ndaj fesë, sesa me sensin e tyre radikal islamik. Historia e ka treguar këtë, madje edhe në prishjen pa të drejtë të objektit fetar në Dhërmi.