Memaliaj/Policia jep detaje të kapjes së 1.5 tonëve drogë dhe armëve të gjetura

Për efekt hetimi, Policia e Gjirokastrës nuk dha asnjë të dhënë në lidhje me identitetin e personave të dyshuar për kultivimin dhe tentativën e trafikut të 1.5 tone droge qe u gjeten ne dy furgone ne fshehur gjate nje aksioni te zhvilluar dje.

Burime nga Policia bënë të ditur se janë duke hetuar me metoda speciale dhe shumë shpejt mund të ketë arrestime të të implikuarve. Dyshohet se ata do të viheshin në këto ditë në lëvizje për ta transportuar drogën drejt detit dhe më pas për në Itali.

Por nuk përjashtohet as dyshimi se destinacioni ka qenë Greqia dhe transporti do të bëhej në rrugë tokësore nëpërmjet Kakavijës.

“Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër për hetim të mëtejshëm, për veprat penale “Prodhim dhe shitje të narkotikëve”, “Prodhimi dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe municionit” dhe “Prodhim dhe mbajtja pa leje e armëve sportive dhe të gjuetisë”, parashikuar nga nenet 283/ 1, 278 dhe 280 të Kodit Penal”, thuhej në njoftimin e Policisë së Gjirokastrës.

 

Aksioni

Policia e Memaliajit ndërhyri dje në afërsi të fshatit Leshnje, në një zonë mes shkurresh e pemësh, në afërsi të shtratit të lumit Vjosa, nga ku u gjetën të fshehura dhe të mbyllura brenda dy furgonëve të bardhë të markës ‘Mercedes Benz’ me targa të falsifikuara. Sipas Policisë, në brendësi të automjeteve janë gjetur 1 ton e 463 kilogramë lëndë narkotike Cannabis Sativa si dhe 16 armë zjarri (1 snajper, 12 kallashnikovë, 2 pushkë dhe 1 armë gjahu). Operacioni ka nisur si rezultat i presionit të kontrollit të ushtruar javët e fundit në atë territor nga shërbimet e Policisë, për evidentimin e personave që mund të mbajnë armë e lëndë narkotike, me qëllim trafikimin e saj.

 

Sipas Policisë, personat që dispononin lëndën narkotike dhe armët e zjarrit i kanë fshehur në pyll, me qëllim shmangien e kontrollit. Blutë nuk dhanë detaje në lidhje me trafikantët e kësaj sasie droge dhe posedimit të armatimit, pasi siç bëhet e ditur, operacioni tashmë po ndiqet me metoda speciale dhe për këtë arsye nuk mund të jepen të dhëna të tjera.

Në lidhje me sasinë e drogës së bllokuar, Policia bëri të ditur në njoftimin e saj se ajo është prodhuar më herët dhe se madje një pjesë e saj ishte e ngurtësuar dhe drejt dekompozimit. Por burime nga grupi i hetimit bënë të ditur se sasia është duke u analizuar, duke mos përjashtuar faktin se kemi të bëjmë me një sasi të kultivuar së fundmi, pikërisht afër zonës ku edhe u gjet e ngarkuar.

Çfare u gjet

“Në afërsi të fshatit Leshnje, Bashkia Memaliaj, në një zonë mes shkurresh e pemësh, në afërsi të shtratit të lumit Vjosa janë konstatuar të fshehur dhe të mbyllur me çelësa dy furgona të bardhë të markës ‘Mercedes Benz’ me targa të falsifikuara. Gjatë kontrollit, grupi hetimor konstatoi se në brendësi të furgonave kishte pako me lëndë narkotike dhe armë zjarri dhe konkretisht: 16 armë zjarri (1 snajper, 12 kallashnikovë, 2 pushkë dhe 1 armë gjahu). 1 ton e 463 kilogramë lëndë narkotike Cannabis Sativa (prodhuar më herët, një pjesë e ngurtësuar drejt dekompozimit)”, thuhej në njoftimin e Policisë së Gjirokastrës. Tepelena rezulton në hartën e zonave të nxehta, sa i përket kultivimit të bimëve narkotike. Në vitet e kaluara janë sekuestruar mijëra rrënjë bimësh të kultivuara. Kjo është sasia më e madhe e kapur për këtë vit në këtë zonë. PANORAMA

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU