Meha: Kosova as nuk rritet e as nuk zvogëlohet me demarkacionin me Malin e Zi

Kosova as nuk humb e as nuk fiton asgjë nga marrëveshja për shënimin e kufirit me Malin e Zi, thotë Murat Meha, Drejtor i Agjencisë Kadastrale të Kosovës.

Meha, i cili ka drejtuar komisionin e emëruar nga qeveria për shënimin e kufirit, i tha Zërit të Amerikës se e mirëpret krijimin e komisionit ndërkombëtar nga presidentja Atifete Jahjaga për rishikimin e marrëveshje për shënimin e kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi.

“Komisioni Shtetëror i cili ka qenë dhe është i përcaktuar nga Qeveria, e ka bërë punën e vet profesionale me përgjegjësi të plotë dhe të argumentuar me hulumtimet që i ka bërë në terren në zyrat e kryetarëve të komunave dhe ka arritur në përfundim që ta japë vijën përfundimtare për shënjimin dhe mirëmbajtjen e vijës kufitare shtetërore të Kosovës me atë të Malit të Zi”, ka thënë Meha.

Ai ka sqaruar edhe metodën përmes së cilës është arritur në këtë konkludim, ndërsa është shprehur i gëzuar me formimin e komisionit të ri me ekspertë ndërkombëtarë nga presidentja Jahjaga.

“Qeveria këtij komisioni do t’ia ofrojë rezultatet e Komisionit Shtetëror. Duke mos dashur të ndikojmë tek ta, ne jemi në dispozicion edhe për ekspertët të cilët vijnë nga jashtë”, ka theksuar më tej Meha.

Ndërkaq, në lidhje me akuzat e opozitës se Kosova ka humbur rreth 8 mijë hektarë tokë nga kjo marrëveshje, Drejtori i Agjencisë Kadastrale të Kosovës, Murat Meha, ka thënë se Kosova, “as nuk humb e as nuk fiton më shumë se që ka pasur territor”.

“…Sepse ligjërisht Kosova ka ekzistuar edhe si krahinë socialiste autonome, edhe nga viti 1999 deri më 2008 si vend i lirë dhe pas 2008-ës si shtet i pavarur dhe gjithçka flet në vazhdën e asaj që askush nuk ka mundësi të kalojë në territorin tjetër pasi që secili shtet e ka dokumentacionin e vetë relevant”, u shpreh Meha.

Meha ndodhet në Washington ku po merr pjesë në Konferencën vjetore të Bankës Botërore mbi Varfërinë dhe Tokën, e cila këtë vit po trajton çështjen e administrimit të përgjegjshëm të tokës.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU