Më shumë se kaq, veç në i marrtë me gurë…

 

Nga Skënder Minxhozi/

Kur Edi Rama i premtoi Xhon Kerrit se do të përpiqej ta kalonte reformën në drejtësi brenda marsit, shumëkush në katet e larta të politikës ngriti supet ose buzëqeshi hidhur. Nga ato buzëqeshje të heshtura ironike dhe hipokrite, që politikanët shqiptarë i prodhojnë në seri, kur përballë kanë të huajt, me të cilët rëndom duhet të bëjnë servilin e jo të fortin. Marsi kaloi, bashkë me të edhe prilli dhe idea se reforma po shtyhej për në kalenda vazhdoi të fitojë terren tek skeptikët dhe ata që kanë ç’të humbasin nga ai draft sfidues.

Por kush e ka dëgjuar dje fjalimin e ambasadorit amerikan Lu në komisionin e posaçëm parlamentar, me shumë gjasë ka menduar se kësaj rradhe duket se kjo puna e reformës në drejtësi është diçka më shumë se ato matricat e integrimit europian, që qeveritë shqiptare i kanë përmbushur historikisht shkel e shko, sa për t’i hedhur hi syve Brukselit.

Donald Lu derdhi përballë përlamentarëve të njëjtin helm drithërues, që përdori dikur edhe para gjykatësve, kur i ftoi të shohin pulsin e dorës. Lu e di që parlamentarët tanë kanë orë të ngjashme me gjykatësit e prokurorët. E di që edhe që pasuritë i kanë të ngjashme, ashtu siç kanë pushtetin për ta çuar ujin përpjetë në këtë vend. Por në ndryshim nga kategoria e parë, politikanët i duhen sot ndërkombëtarëve për një akt që për shumëkënd është një gjest i pastër paradoksi dhe nonsensi: që të votojnë fillimin e ndëshkimit të tyre, duke votuar reformen! Kjo i bën ata mëse të nevojshëm në momentin kur në Kuvend duhen mbledhur 94 votat magjike për të ndryshuar Kushtetutën, e me gjasë, bashkë me të edhe faqen e Shqipërisë.

Gjuha e ambasadorit amerikan sot ka pasur dozën e nevojshme të ashpërsisë dhe sfidës, që i duhet hedhur mbi krye asaj pjese të klasës politike shqiptare që nuk e do reformën, që ka frikë nga ajo, që i tutet një paneli të drejtë gjyqi si djalli prej temjanit. E dimë se cili është ky segment politik në vendin tonë, pasi ka pasur kohë ta tregojë këto muaj sesa me dhimbje dhe rezervë e ka shqiptuar togëfjalëshin “reformë në drejtësi”. Një togëfjalësh, që pas qëndrimit të dy diplomatëve të huaj, është shumë më pranë realizimit sesa dështimit. Donald Lu nuk e pati fare problem t’i përmendë fjalët “turp”, “dështim”, “mëshirim”, “i shurdhër”, “i verbër” – që të gjitha në adresë të politikës shqiptare. Më shumë se kaq nuk ka ç’të bëjë një diplomat i huaj. Veç në marrtë gurët e rrugës e të thyejë dritaret e Parlamentit. Ndoshta nuk përjashtohet as ky variant, në bllokun e krizës së amerikanit Donald Lu. Sidomos kur meson se te premten ai do te shkoje edhe ne grupin parlamentar te PD, PS e LSI, duke vene gishtin ne plagen reale te ketij procesi…

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU