“Mbylle o b**e”, “rrotën e sallamit ta mbajë Jozefina”, ja si degradoi debati në Parlament

Kryeministri Edi Rama është përplasur dje me deputetët e Partisë Demokratike për pranimet në universitete dhe sistemin e ri arsimor. Rama u shpreh dje se i gjithë procesi do të mbyllet brenda 27 tetorit, ndërkohë që i quajti demokratët si parti me “ngelësa”, që shfrytëzon fatkeqësitë dhe stresin e maturantëve. Rama ka ironizuar me demokratët duke thënë se ata e kanë shndërruar Parlamentin në një kazan të madh, në të cilin vijnë çdo të enjte për të ngrënë përshesh.

Gjatë replikës, ish-kryetarja e Parlamentit e ka quajtur Ramën si kryeministrin më vulgar, dhe se ndihej e turpëruar kur e dëgjonte të fliste. Por Rama nuk ka kursyer ironinë, duke thënë se Topallit i ka mbetur vetëm aktrimi në Parlament dhe se për këtë rol garon rrotë më rrotë me Tinka Kurtin. Në debat ka ndërhyrë dhe deputeti Flamur Noka, i cili debatin për arsimin e ka kanalizuar në çështjen e hashashit.

Por Rama iu drejtua disa herë duke i thënë Nokës që të mos merret me arsimin, sepse “Flamuri di të tundet vetëm për kanabisin”. Deputeti i PD-së iu kthye Ramës duke i thënë se meritonte një rrotë sallami për t’ia mbyllur gojën, por kryeministri gjatë replikës pa mikrofon tha se rrotën e sallamit e meritonte ta mbante Jozefina Topalli. Debati në Kuvend ka degraduar dhe në ofendime mes deputetëve Erjon Braçe e Helidon Bushati.

REPLIKAT NË KUVEND

Edi Rama: Brenda datës 27, që është lënë si afat fundor, gjithçka do të jetë e mbyllur dhe të gjithë ata që ju besuan ju, ju besuan ju në fillim, sepse përputhet stresin e tyre me nevojën tuaj të pangushëllueshme për njerëz të dëshpëruar dhe ju doni që sa më shumë njerëz të dëshpëruar, aq më mirë për ju. Është habi për mua se si mund të ketë prindër që shkollojnë fëmijët e tyre në universitete private dhe ju votojnë ju, se kuptoj dot si mund të ketë.

Ju jeni armiq te deklaruar të universiteteve private dhe çudia e madhe që nuk është çudi fare, që u bëtë armiq kur ato u mbyllën si ndërmarrje fitimprurëse që ndanin paratë me ju, se nuk jetonin atje vetë. Se nuk ka asnjë arsyetim tjetër të mundshëm, – as për persona me inteligjencë relative që keni pasur ju në qeverisje, – që të pranojë universitete private, si ato që latë ju pas, që përvëluan mijëra e mijëra nxënës dhe studentë në vite dhe shkatërruan ëndrrat, – nxënës sepse ishin nxënës përpara se t’i merrnit ju dhe t’i fusnit nëpër ato “Vitrinat” – dhe shkatërruan investimet prindërit me atë arsimin tuaj privat.

Ndërkohë që ne e kthejmë arsimin privat në një shërbim publik të standardizuar dhe të monitoruar në bazë të ligjit, në mënyrë të barabartë me arsimin shtetëror, domethënë me universitete publike, – ju bëheni armiq të privatëve, pse?! Për arsyen e thjeshtë sepse ata nuk janë më pjesë, ose ju nuk jeni më pjesë në atë thes mëkatesh në kurriz të, nuk e di sesa mijë studentëve dhe mijëra e mijëra familjeve. Sot, gjithë lista e studentëve në çdo auditor është listë e krijuar, jo nga partia, as nga fisi, as nga leku…

Flamur Noka: Nga anëtarët e FRESH-it…

Edi Rama: As nga shansi qorr, se ishit në fakt qeveria e shanseve qorre ju, por e krijuar vetëm nga rezultati dhe vetëm nga rezultati. Rezultatet? Po normal se juve s’ka shifër dhe s’ka statistikë që ju bën të ndërroni mendim.

Flamur Noka: Pasi e mbushe numrin e regjistrimeve te privati…

Edi Rama: Flamur, ti detyrën e ke të tundesh mbi kanabis, nuk ke lidhje ti me sistemin universitar, kështu që ti vazhdo tundu, Flamur, valëvit mbi kanabis… Me sistemin universitar s’ke lidhje ti…

Flamur Noka: Ta tregoj unë ty dhe kanabisin.

Edi Rama: Meqë ma the se nuk ishe prezent, po të them, ata të cilët do mbeten me kuota të paplotësuara do jenë pikërisht privatë, kështu që, Flamur, valëvitu mbi kanabis, mos u merr me çështje të tjera, se as nuk t’i kanë ngarkuar dhe as nuk i mban dot ti në kurriz.

Flamur Noka: Hajde i hapim kuotat e regjistrimit…

Valentina Leskaj: Zoti Noka, ju tërheq vëmendjen…

Edi Rama: Flamur, valëvitu mbi kanabis, mos u merr me çështje të tjera, se as t’i kanë ngarkuar ty dhe as nuk i mban dot ti mbi kurriz. Flamur, tundu mbi kanabis…

Flamur Noka: Po do me të tund, hajde se të tund unë mirë…

Edi Rama: Ne nuk kemi ndërmend të hapim shteg për hir të plotësimit të kuotave duke cenuar cilësinë dhe sa për publik apo privat, po ua them prapë, sipas jush, prindërit që paguajnë taksa për ta mbajtur në këmbë këtë shtet dhe çojnë fëmijët tek privati duhet te jenë qytetarë të dorës së dytë. Sipas jush, ata që shkojnë te privatët nuk janë fëmijët e barabartë të kësaj republike, ata janë të njerkut, privat, ndërsa këta te publiku janë të nënës Shqipëri.

Kjo është një strapallë kur thoshte avokati juaj që nuk e gjen dot, as në qiell, as në tokë e jo më të gjesh te një parti që i thotë vetes e djathtë Europiane. E vetmja gjë që mund të bësh është që kuotat e universiteteve përktheji në tonelata kanabis dhe vazhdo punën, të hash dhe ti përsheshin tënd. Kujdes se po ju shtohen njerëzit që do hanë përsheshin tuaj, kështu që luftoni fort të meritoni lugën e Saliut, se nuk ka lugë për të gjithë ai.

Valentina Leskaj: Fjalën e ka kërkuar zoti Braçe…

Jozefina Topalli: Çfarë Braçe, respekto rregulloren.

Valentina Leskaj: Dakord, fjalën e ka zonja Topalli, pastaj zoti Braçe.

Erjon Braçe: Po te cila rregullore është shkruar kjo?!

Helidon Bushati: Po boll, ore, ngele gërr gërr gërr…

Erjon Braçe: Ik ti, more, mos më çaj trapin, o b..e… Mbylle gojën se…

Helidon Bushati: Mbylle, ore injorant…

Jozefina Topalli: Nëse ky kryeministër ka një meritë, merita e tij është banalizimi dhe shkatërrimi, vulgarizimi i Parlamentit për të heq vëmendjen nga dështimet e tij të njëpasnjëshme. Unë s’e di nëse kolegët i ndjekin fjalimet e kryeministrave të tjerë, më thoni nëse gjeni një kryeministër tjetër që të dalë në foltoren e Kuvendit dhe të përdorë një gjuhë aq vulgare, aq dhunshëm sa ky që ka emrin kryeministër sot. Unë turpërohem se je kryeministri i vendit tim, sigurisht po të ishte për mua, do kisha sjellë njerëzit përpara Kryeministrisë për të të rrëzuar…

Edi Rama: Aha, i ka Luli ata, s’ke gjë më ti…

Jozefina Topalli: Fole për shifra dhe thoni që 99% e kanabisit është zhdukur nga ky vend.

Bedri Hoxha: Ai ka ngelur në klasë…

Jozefina Topalli: T’i thuash që është tallje, t’i thuash që e konsideron këtë popull dele. Të thuash që je i çmendur, mund t’i thuash të gjitha bashkë…

Edi Rama: Unë fola për fakte, siç fola dhe herës tjetër kur dole këtu me atë fotografinë edhe konkurrove me Tinka Kurtin, se me atë je konkurrente tani, – se në PD iku kjo punë, e mori Luli, – dhe në konkurrencën me Tinkën e kam pranuar që je rrotë më rrotë…

Flamur Noka: Mos përmend emra njerëzish që nuk janë këtu.

Edi Rama: Kush nuk është këtu? Tinka. Po në vend të Tinkës do replikosh ti. Sa të të ketë ty Tinka, do jetë e qetë. Je e shqetësuar nga fjalori im, ndërkohë që ke kap një nivel që unë nuk di ta ketë kap ndonjë kolege e jotja kur kostumit të tjetrit i ke thënë “zhele”, më flet mua për fjalorin. Çfarë fjalori? Unë të përmenda vetëm dy fjalë, t’i përsëris prapë: “kazan” dhe “përshesh”. Tani, në qoftë se ju hani përshesh dhe doni që t’ju quhet antipastë te SHQUP-i para se të vini këtu, ju ashtu quheni, por fjalën “përshesh” ta fusni te fjalët që ju shqetësojnë, kjo më duket e padrejtë.

Asllan Dogjani: Po ti çfarë ha?

Edi Rama: Është e padrejtë, Jozefinë, më beso. Të thashë dhe një që është fakt, jepini forca se po ju shtohen ata që duan të hanë te përsheshi juaj. Ku është problemi këtu? S’ka problem pra. Tani unë po tërhiqem në vendin tim, se këtu ka të tjerë që duan të hanë përshesh… Pra, auditorët jo vetëm që nuk janë bosh, por janë 15.022 të regjistruar që nuk duhet t’ia dinë për nder as partisë, as kushëririt, as xhepit të babait, as shansit qorr. 19.165 janë të regjistruar sot në publik dhe në privat. 15.022 në publik dhe 4143 në privat. Unë as nuk e kam fshehur ndonjëherë, dhe e kam thënë dhe e përsëris me zë të lartë, dhe është turp për ju, Partia Demokratike, e djathta popullore europiane, që kur thoni privat, e thoni me të njëjtën neveri siç thoshte Saliu kur ish-te sekretar partie, “kulak”.

Njësoj jeni, thjesht ka ndryshuar “kulaku” me “privatin” si terminologji. Ndërkohë që për ne, si në program, si në reformë, nuk ka asnjë dallim. Janë universitete të kësaj republike që financohen nga shteti ose nga privati. Mirëpo ka një ndryshim të madh sot sistemi i universiteteve private, nga i juaji. Sepse kur ne themi nuk mund të bësh shkollë të lartë me mesatare 6 e poshtë, kjo vlen edhe për privatët. Pra nuk mund të hapin derën e të thonë, “nxirri lekët, futu e nuk ka rëndësi fare, jo mesatarja, por nuk ka rëndësi a ke shkollë të mesme”.

Jozefina Topalli: Ti mund të vazhdosh të flasësh me fjalorin tënd vulgar dhe banal e të papranueshëm për një kryeministër. Po ti vazhdo fol me këtë fjalor, sepse vetëm humb pikë dhe humb konsensuse. Ajo që unë do të them është se sot një vit ti nuk do të jesh më këtu. Kaq mbaj shënim.

Luciano Boçi: Ju na thatë që ne jemi mbetës. Por unë të them, je ti ngelësi, ke kaq ditë që ke ngel në klasë dhe s’e pranon këtu… Si paska data të tjera dhe janë lënë bosh auditorët. Nuk po flas për Universitetin e Tiranës, por universitetet e tjera janë bosh, rrezikojnë të mbyllen.

Flamur Noka: Unë e mirëkuptoj kryeministrin kur thotë “përshesh” dhe “kazan”, se i kanë ngel refleks që nga Parisi, kur hante përshesh nëpër kazanë. Që të mos flasë shumë për përsheshin dhe kazanin, jepini një rrotë sallami t’i mbyllet goja…

Edi Rama: Jo, rrotën e sallamit ta mbajë Jozefina…

Flamur Noka: Me ty e kisha unë.

Edi Rama: Tani po e marr nga mbrapa.

Flamur Noka: Nga mbrapa të pëlqen ty.

Edi Rama: Nga Flamuri. Po i bie nga mbrapa, nga Flamuri. Flamur, përpara dy javësh, u çua Saliu, – e çove ti në fakt Saliun, se ti je ai i terrenit, – dhe bëtë këtu një maskaradë që një shkollë e tërë ishte helmuar nga një tym.

Asllan Dogjani: Nga droga, droga, është djegur drogë në shkollë.

Edi Rama: Tani unë e di që ju do çoheni këtu, do vazhdoni me hashashin. Zonjë, nga të gjitha studimet rreth drogës, kanë dalë shumë përfundime, ka dalë dhe një përfundim tjetër, që kush flet shumë e për lumë për drogën, fillon e toksikohet. Bëni kujdes se po hyni në një proces toksikimi dhe do t’ju bëhet kaq e zakonshme fjala “hashash”, sa ndonjë ditë do thoni: Ta ndezim ndonjë këtu te SHQUP se na duket bota pak më e bukur. Bëni kujdes! Nëse këtë vit, 6 ishte kufiri maksimal, ky kufi do vazhdojë të rritet, duke i thënë nxënësve dhe prindërve një gjë krejt të kundërt nga ajo që i thatë ju. Ju i thatë: “E vetmja rrugë është universiteti, e vetmja mënyrë për të jetuar është të keni një diplomë juristi. Ndërkohë që ne u’a kemi thënë përpara, që nuk ishim në qeveri, u’a themi sot që jemi ne qeveri që “jo”, njëra rrugë është universiteti, rruga tjetër është arsimi profesional, që në këtë vend të ketë njerëz, të cilët me zanatin e tyre, jo vetëm mund të sigurojnë një punë të ndershme, por mund të bëjnë biznes të vogël, mund të bëhen dhe sipërmarrës të mëdhenj. E do të shikoni efektin e kësaj reforme që në vend që njerëzit të turren e t’i hedhin paratë për të hapur universitete private, do s’postojnë investimet e tyre gjithmonë e më shumë drejt kolegjeve profesionale, të cilat janë e vetmja rrugë që Shqipëria të bëhet një vend me një krah të kualifikuar pune në nivelin e një vendi që synon të ketë sa më shumë investime të huaja./Panorama/a.m.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU