Mbi 378 mijë turistë vizituan parqet arkeologjike dhe muzetë

Shtimi i numrit të vizitorëve të huaj në Shqipëri ka rritur ndjeshëm interesin edhe ndaj trashëgimisë kulturore të vendit. Kjo vihet re edhe nga numri i vizitave në muzetë, kalatë dhe parqet arkeologjike.

”Institucionet dhe qendrat e trashëgimisë kulturore gjatë tremujorit të parë janar-qershor 2018 kanë patur një rritje 71% të numrit të vizitorëve krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2017. Janë gjithsej 378 mijë turistë vendas dhe të huaj të cilët kanë vizituar kalatë, parqet arkeologjike dhe sitet arkeologjike. Është një numër shumë i lartë po ta krahasojmë me 2014 është një rritje prej 188% ”, u shpreh Ledion Lako, drejtor i Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare, gjatë takimet të sotëm me përfaqësuesit e turizmit në COD.

”Ministria e Kulturës ka publikuar në faqen online kalendarin turistik të aktiviteteve 2018 ku janë plot 68 aktivitete përgjatë gjithë sezonit turistik. Këto aktivitete janë të ndryshme duke filluar që nga shfaqjet, aktivitet për fëmijë gjatë gjithë bregdetit të cilat kanë shërbyer dhe për rritjen e numrit të turistëve. Janë disa shfaqje të cilat kanë qenë të mbipopulluara si ”Opera Jeans”, baleti ”Monger”, ”Sokaku i të marrëve” në Gjirokastër dhe shumë shfaqje të tjera që ka zhvilluar Cirku Kombëtar etj”, u shpreh Lako.

Ai gjithashtu shtoi se ,”në funksion të promocionit ministria e Kulturës ka shpërndarë në të gjithë institucionet e trashëgimisë kulturore dhe të artit,në pikat kufitare dhe në të gjitha bashkitë postera antikorrupsion ,broshura me institucionet e trashëgimisë kulturore të vizitueshme për sezonin turistik për periudhën 1 maj- 15 tetor 2018.Gjithashtu në bashkëpunim me ministrinë e turizmit kemi bërë disa broshura me logon e ”Smile Albania”,në të cilat janë shpërndarë oraret dhe vizitueshmëria që ofrojnë këto institucione kulturore në gjithë territorin tonë”.

”Ministria e Kulturës ka miratuar katër urdhëra për ndryshimin e biletave në grup nga 30 që ka qenë më parë në 12 për katër destinacione të rëndësishme të trashëgimisë si: Muzeu Kombëtar Marubi, Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar në Korçë,Parku Kombëtar i Butrintit dhe Parku Arkeologjik në Apolloni” ,u shpreh Ledion Lako.

”Task Forca e ministrisë së Kulturës gjatë periudhës maj-korrik 2018 ka kryer inspektime të vazhdueshme dhe sistematike për të siguruar një ambient sa më të pastër dhe të ofrojë shërbime sa më të mira në këto institucione ku ofrohet shërbime për turizmin kulturor në muze,parqe dhe në kala”,përfundoi Lako.

a.ç

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU