Mbahet në Tiranë festivali teatror i shkollave të mesme, Veliaj: “Kur bashkëpunojmë, nuk na ndal asgjë”

Shkollat e mesme të Tiranës organizuan festivalin e parë teatror “TK-RIN ART 2018”, ku morën pjesë nxënës nga gjimnazet “Sami Frashëri”, “Harry Fultz”, “Sandër Prosi”, “Petro Nini Luarasi”, “Abdulla Keta” dhe “Ismail Qemali”. Ata vendosën në skenën e Teatrit Kombëtar disa prej shfaqjeve, nga të cilat fituese u shpall shkolla e mesme “Petro Nini Luarasi”.

Në ceremoninë e shpërndarjes së çmimeve, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj vlerësoi organizatorët për zhvillimin e aktivitetit, çka sipas tij jo vetëm pasuron jetën artistike të kryeqytetit, por edukon edhe të rinjtë. “Fakti që për herë të parë po i kushtohet kaq kohë rinisë, që secili ka bërë pak më shumë nga ç’i kërkon detyra e tij për t’iu kushtuar gjeneratës së re të shqiptarëve, qoftë të këtij teatri apo të një skene tjetër, meriton gjithë respektin dhe mirënjohjen”, tha Veliaj.

Ai theksoi kurajon e të rinjve për të qenë në skenë sepse diferencën nuk e bëjnë kurrë spektatorët, por ai që ka kurajo dhe tregon sa vlen. “Me gjasë, jo të gjithë do të bëhen aktorë. Ish-presidenti i Amerikës, Ruzvelti, kur shkoi në diplomimin e studentëve të Universitetit të Parisit u tha: Diferencën e bëjnë njerëzit që dalin në skenë. Skena mund të jetë teatër, mund të jetë politikë, mund të jetë media, mund të jetë biznes, shkencë, financë, por diferencën nuk e bëjnë kurrë spektatorët, diferencën e bën ai ose ajo që ka kurajo të zbresë në arenë dhe tregon sa vlen”, u shpreh Veliaj, i cili shtoi se falë energjisë dhe potencialit të të rinjve, Tirana është një qytet me të ardhmen përpara.

Duke renditur një sërë projektesh të rëndësishme, të cilat janë realizuar këto tre vite nga Bashkia e Tiranës, Veliaj tha se kur qytetarët vendosin që të mos e pengojnë njëri-tjetrin dhe bëhen bashkë, gjithçka bëhet realitet. “Kur vendosim që nuk do pengojmë njëri-tjetrin, që nuk do zihemi e ke ti, e kam unë, që nuk do merremi me çikërrima, por do shikojmë një ëndërr të madhe dhe të bashkëpunojmë dhe ta bëjmë realitet, nuk na ndal asgjë! Kur filluam punën në këtë qytet, gjëja e parë që bëmë ishte një kënd lodrash për fëmijë. E mbani mend çfarë histerie shpërtheu, duke u shqyer me njëri-tjetrin për një kënd lodrash? Ja ku jemi sot! Mbaj mend çfarë histerie kemi bërë për Pazarin e Ri. Shiheni Pazarin e Ri sot, çfarë mrekullie ka dalë. E njëjta gjë me Bulevardin e Ri, e njëjta gjë me Sheshin “Skënderbej”, ja ku jemi sot”, deklaroi Veliaj.

Regjisori i njohur Spiro Duni u shpreh entuziast për pjesëmarrjen e rreth 3 mijë të rinjve për të ndjekur shfaqjet e vëna në skenë, ku për shkak të kërkesës së lartë, aktiviteti u organizua në 6 ditë.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU