Mërgim Mavraj u bë protagonist negativ i skuadrës sonë kombëtare, në humbjen 4-0 të pësuar nga Skocia në ndeshjen e vlefshme për Ligën e Kombeve.
Qendërmbrojtësi u ndëshkua që në minutën e 24-t të sfidës me karton të kuq, për një gjest jo të hijshëm, një episod që e goditi edhe më shumë përfaqësuesuen tonë.
Mavraj pranoi gabimin, një qëndrim që e konfirmoi edhe në rrjetet sociale.
Nëpërmjet një postimi në Instagram, Mavraj kërkoi ndjesë publike për episodin e ndodhur, duke theksuar se çdokush mund të gabojë dhe se këtë radhë i ndodhi atij.
Ai shtoi se, me Kombëtaren shqiptare ka mundur të luajë edhe i dëmtuar dhe kërkoi që ta kritikojnë, por jo të vënë në dyshim respektin për fanellën kuqezi.
Në fund të postimit të tij, Mavraj shfaqi bindjen se skuadra shqiptate do të jetë në gjendje të kthejë faqe dhe se kjo do të arrihet kur të gjithë të jenë të bashkuar.
“E ndjej të kërkoj publikisht falje për atë moment dobësie. Të gjithë gabojmë dhe këtë herë më ndodhi mua. Për Kombëtaren kam luajtur dhe i dëmtuar madje në situata edhe shumë më të vështira, ndaj ajo që kërkoj është të më kritikoni, sigurisht, por jo të vini në diskutim rrespektin dhe dashurinë për këtë fanellë e këto ngjyra. Shohim përpara, me bindje se Shqipëria do të kthejë kapitull. Të gjithë bashkë mund tia dalim përsëri, por nëse jemi të ndarë ateherë mund të na mposhtë kushdo.”, shkruan Mavraj
a.ç