Masakra mjedisore nga zjarret, u dogjën 450 hektarë pyje

Muaji gusht ka pasur numrin më të madh të zjarreve të rëna në pyjet dhe kullotatat e vendit.

Dëmet janë në evidentim e sipër, ndërkohë që si total gjatë gjithë vitit janë djegur 450 hektarë pyje e kullota.

Inspektorati i Mjedisit dhe Pyjeve ka evidentuar 16 raste zjarresh për gushtin dhe gati të gjithë kanë qenë të qëllimshëm.

“Arsyet që çojnë tek këto zjarrvënie të qëllimshme janë nga më të ndryshme, që nga konfliktet e pronësisë; tek fondi pyjor, ku nga ndërhyrjet e ndryshme mund të bëhet një zjarrvënie; deri tek ndryshimi i fondit nga pyjor në fond kryesor, për ta përdorur fshatarët për blegtori”, deklaron Ergys Agasi, drejtor i Inspektoratit të Mjedisit.

Me moratoriumin e pyjeve dhe ndarjen e re territoriale, pyjet dhe kullotat kanë kaluar në adminisitrim të bashkive, ndërkohë që Inspektorati i Mjedisit dhe Pyjeve bën monitorimin në terren dhe koordinon punën e institucioneve në raste zjarresh.

“Me moratoriumin ka kaluar edhe ligji që i gjithë administrimi i fondit nga Ministria e Mjedisit i kalon pushtetit lokal. Pra, të gjitha bashkitë kanë menaxhim 100 për qind të plotë të fondit pyjor. Ajo që i takon Inspektoratit është monitorimi i këtyre zonave”, shton Agasi për “T.CH”.
Inspektorati vlerëson se bashkëpunimi mes institucioneve ka qenë i mirë dhe administrimi i zjarrfikësve nga bashkitë ka rritur angazhimin e pushtetit vendor për parandalimin e zjarreve./a.m.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU