Përgjaket Elbasani në prag të Vitit të Ri. Tre persona janë vrarë me armë zjarri si pasojë e një atentati në lagjen ‘Katund i Ri’, në aksin rrugor Elbasan-Metalurgjik, pranë rreth rrotullimit të Bradasheshit.
Tre viktimat udhëtonin me një mjet me targa italiane AG71WYP kur janë qëlluar me breshëri kallashnikovi.
Sipas mediave një nga viktimat është me inicialet E.K, person me precedent penale.
Makina është qëlluar me breshëri kallashnikovi pranë një lokali. Pas atentatit mjeti ka humbur kontrollin dhe është përplasur me murin e lokalit.
Dyshohet se ngjarja lidhet me përplasjen e bandave në qytet. Forca të shumta policie kanë mbërritur në vendngjarje dhe kanë nisur hetimet.
Ndërkohë në një informacion paraprak për mediat Policia e Shtetit sqaroi: ” Sot rreth orës 21:15, në Bradashesh, Elbasan, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të një mjeti. Për pasojë kanë mbetur të vrarë 3 shtetas, që udhëtonin me të. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e rrethanave dhe identifikimin e kapjen e autorëve. Forca të shumta policie kanë rrethuar zonën, në një perimetër të gjerë. Policia po kryen kontrolle e shoqërime dhe një sërë veprimesh të tjera, për të bërë të mundur zbardhjen e ngjarjes. Një grup specialistësh nga Krimet e Rënda në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit janë nisur në ndihmë të Policisë së Elbasanit”.
a.cupaj