Brenda dy javësh, Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe ai i Serbisë, Aleksander Vuçiç pritet të nënshkruajnë protokollin për ndërtimin e autostradës Durrës-Nish, e cila kalon nëpër Prishtinë. Lajmi bëhet i ditur nga Ministrja serbe e Infrastruktrës Zorana Mihajlovic.
Ajo tha se projekti i autostradës Nish-Merdare –Prishtinë-Tiranë –Durrës do të kushtojë rreth 1 miliardë euro.
“Serbia dhe Shqipëria tash e 6 muaj janë duke punuar rreth kësaj dhe jemi duke i përgatitur projektet të cilat dy Kryeministrat do ti prezantojnë në Vjenë gjatë muajit gusht”, tha Mihajlovic.
Ajo ka theksuar se kjo autostradë do të jetë e rëndësishme sepse lidh rajonin, ndërsa nënvizoi rëndësinë për Serbinë e cila do të sigurojë dalje në det nëpërmjet Shqipërisë.
Realizimi i kësaj autostrade, e cila pritet të financohet nga Bashkimi Europian, do të lidhë Prishtinën me Beogradin (autostrada Beograd-Nish është ekzistuese) dhe është vazhdim me autostradën Durrës-Prishtinë, duke lidhur kështu edhe Portin e Durrësit me Beogradin.