Maratona e Tiranës, ushtria nis stërvitjen nga kodrat e liqenit

Kryeqyteti ka nisur përgatitjet për të pritur edicionin e tretë të Maratonës së Tiranës”, e cila për të dytin vit vjen edhe si një garë e certifikuar zyrtarisht nga “Association of International Marathon and Distance Race”. Nuk bëhet fjalë vetëm për përgatitjen e Bashkisë së Tiranës dhe institucioneve të tjera që do angazhohen për organizimin dhe mbarëvajtjen e saj, por edhe të sportistëve që do të garojnë në të. Kësaj here duket se maratona do jetë edhe më kompetitive, kjo për shkak se pjesëmarrja do të jetë jo vetëm më e madhe por edhe më cilësore.

Dhe një nga grupet që do të marrë pjesë në këtë garë dhe që ka nisur të përgatitet për të qenë gati në 7 tetor është ai i Forcave të Armatosura. Një grup të rinjësh nga radhët e ushtrisë kanë nisur të vrapojnë çdo mëngjes nga kodrat e liqenit në mënyrë që fiziku i tyre të jetë në gjendje optimale në momentin e garës.

Lajmin e ka dhënë vet Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Gjeneral Brigade Bardhyl Kollçaku, i cili ka publikuar edhe disa foto nga momentet e kësaj stërvitje. “10 km vrapim sot në mëngjes tek kodrat e liqenit. Vijon përgatitja e ekipit të FARSH për pjesëmarrje në maratonën e Tiranës”, shkruan Gjeneral Brigade Bardhyl Kollçaku në facebook.

Për të tretin vit radhazi kryeqyteti do të mirëpresë maratonën e Tiranës e cila zhvillohet më 7 tetor 2018. Ashtu si edhe në vitet e tjera pjesë e kësaj maratone do të jenë disa kategori, përkatësisht 3 të tilla: Half Marathon (21, 0975 km), Tirana 10K të ndara në nën kategori femër/mashkull dhe “Ëe too”. Kategoria “Ëe too” është një kategori që ka për qëllim të jetë më shumë motivuese se sa kompetitive.

Gara e 7 tetorit do të paraprihet nga “Fun Run” e cila do të zhvillohet një ditë para garës së madhe, më datë 6 tetor 2018 me të rinjtë e shkollave të mesme të Tiranës.

/b.d

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU