Maratona e Tiranës, fitojnë Luiza Gega e Ilir Këllezi

Bashkia e Tiranës organizoi sot “Maratonën e Tiranës 2016”, ku morën pjesë pjesë rreth 1 200 vrapues. Maratona nisi në orën 09:10 nga Muzeu Historik Kombëtar dhe do të vijoi përgjatë disa prej rrugëve kryesore të qytetit të Tiranës.

Për herë të parë organizohet në vendin tonë një eveniment i përmasave të këtij lloji. Kategoria më e gjatë e kësaj maratone ishte ajo Half Marathon prej 21 km për meshkuj dhe femra. Për meshkuj fitues u shpall Ilir Këllezi, ndërsa për femra, nënkampionia e Europës në atletikë, Luiza Gega.

Në këtë maratonë morën pjesë kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari Lila si dhe kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Në nisje të maratonës së parë në Tiranë, Erion Veliaj i cili theksoi rëndësinë e kultivimit të një jete të shëndetshme. Kryebashkiaku falenderoi qytetarët që kanë bashkëpunuar për të pasur sot një Tiranë thuajse pa makina çka mundëson dhe realizimin e maratonës.

“Është shumë e rëndësishme që të fokusohemi te një qytet i shëndetshëm. Sigurisht qyteti është asfalt, qyteti është llaç e tulla, por sigurisht është kulturë, është edhe shëndet. Në qoftë se kultivojmë një qytet ku secili merret me sport, secili shkon për një jetë të shëndetshme sigurisht që do të kemi qytetin e ëndrrave tona”, theksoi Veliaj.

Veliaj u uroi suksese të gjithë pjesëmarrësve ndërsa solli në vëmendje se një vlerësim pozitiv për maratonën e sotme do të na mundësojë një datë zyrtare për maratonën e vitit tjetër.

 “Që të mos humbasim kohë ndoshta duhet të fillojmë dhe t’u urojmë sukses të gjithëve. Shpresoj keni marrë të gjithë çipat, shpresoj që të gjithë do ta kultivojmë këtë jetë të shëndetshme edhe mbas maratonës. Ne kemi një datë shumë të rëndësishme, datën 13 në Lisbonë mblidhet Federata Europiane e Atletikës. Nëse sot ia dalim me sukses, ne do të marrim një datë zyrtare për vitin tjetër dhe do të fillojmë 1 vit përpara të përgatitemi për një maratonë të vërtetë që është zyrtare në të gjithë Europën”, tha Veliaj.

Në Maratonën e Tiranës (nisja u bë përpara Muzeut Kombëtar) dhe u garua për 4 kategori: Fun Run – 1 km, për nxënësit e shkollave të mesme; Hand Bike – 2 km, për personat paraplegjikë; Run (femër/mashkull) 10 km, çdo qytetar shqiptar apo i huaj; Half Marathon (femër/mashkull) 21 km, çdo qytetar shqiptar apo i huaj.

Kjo maratonë është një mundësi e mirë argëtimi dhe ushtrimi të aktivitetit sportiv në qytet, si dhe ndihmon për ta kthyer fokusin në aktivitete me bazë angazhimin fizik. Fituesit e maratonës, vendi i parë, i dytë dhe i tretë morën shpërblim monetar në vlerën 50 mijë, 30 mijë dhe 20 mijë lekë të reja.

Maratona e Tiranës minutë pas minute

Ora 10:50 Mimoza Kusari Lila, vendi i tretë në Half Marathon, 21 km

Kryetarja e Bashkisë së Gjakovës, Mimoza Kusari Lila ka përfunduar e treta garën e Half Marathon prej 21 km.

Ora 10:45 Vendi i dytë në Half Maraton për femra, motra e Luiza Gegës

Ka qenë një garë brenda familjes Gega ajo e 21 km Half Marathon për femra. Pas vendit të parë të siguruar nga Luiza Gega, në vendin e dytë është renditur motra e saj, Besjana Gega.

Ora 10:30 Luiza Gega fiton Half Marathon për femra, 21 km

Nënkampionia e Europës në atletikë, Luiza Gega, ka fituar Half Marathon për femra, 21 km. Luiza Gega rrëmben kështu çmimin e parë të kësaj maratone.

Ora 10:20 Ilir Këllezi fitues i maratonës 21 km për meshkuj

Ilir Këllezi është shpallur fitues i garës prej 21 km në Maratonën e Tiranës. Ai arriti i pari finishin duke fituar çmimin e parë prej 50 mijë lekë të reja. Këllezi është përfaqësues i Forcave të Armatosura (FA).

Ora 09:50 Bledar Mesi fiton kategorinë “Run”

Është shpallur fituesi i parë i Maratonës së Tiranës. Ai është Bledar Mesi i cili ka dalë i pari në kategorinë “Run”. Në vendin e dytë është renditur Malvin Nikolla, ndërsa vendi i tretë i përket 18-vjeçarit nga Korça, Klevis Malo.

Ora 09:40 Sot edhe Maratona e Chicago-s, 42 km

Sot zhvillohet edhe maratona e 39-të e Chicago-s, me 40 km dhe 40 mijë vrapues në 29 lagjeve të qytetit. Kjo është një nga 6 Maratonat më të mëdha të botës, përfshihet maratona e Londrës, Berlinit, Tokyo

s dhe New Yorkut.

Ora 09:30 Në maratonë, Ramush Haradinaj e Mimoza Kusari Lila

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj si dhe kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari Lila, ndodhen mes vrapuesve të Maratonës së Tiranës. Javën e ardhshme do të mbahet Maratona Bajram Curri-Gjakovë dhe Mimoza Kusari Lila po merr në këtë Maratonë përvojën e Tiranës.

Ora 09:20 Në maratonë edhe kryebashkiaku Erion Veliaj

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, është bërë pjesë e maratonës. Veliaj nisi vrapimin te Muzeu Historik Kombëtar njësoj si 1 200 vrapuesit e tjerë.

Shqiptarja/d.i.

 

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU