Maqo Lakrori: Modeli i Ramës, përqendrimi i pushtetit në një dorë

Një nga themeluesit e Partisë Socialiste, ish-kandidati për kryetar i kësaj partie përballë Edi Ramës në vitin 2009 propozon që pas Kongresit të 19 marsit të organizohet një referendum jo vetëm me pjesëmarrjen e socialistëve, por edhe të atyre që ai i quan “progresistë të tjerë”. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, Lakrori shprehet se së pari qeveria “Rama” duhet të kthehet majtas, te programi me të cilin u votua në 2013-ën si dhe të largojë nga administrata të paaftët dhe të korruptuarit.

Ju keni qenë një nga kandidatët përballë Edi Ramës në zgjedhjet brenda partisë në vitin 2009. Çfarë ka ndryshuar prej atij viti e deri më sot, kur deputeti Ben Blushi, ju dhe një grup socialistësh po kërkoni të ketë zgjedhje për kryetarin e PS?
Kanë ndodhur ndryshime mjaft të rëndësishme. Në vitin 2009 vota popullore dhe aleanca e LSI me PD e lanë PS-në në opozitë. Kurse në zgjedhjet parlamentare të 2013-ës u konfirmua se shumica voton majtas. Votimi majtas u rikonfirmua edhe në 2015, në zgjedhjet vendore. Realiteti i qeverisjes së vendit nga “Rilindja”, dashur ose padashur, ka nxjerrë në dukje edhe diferencën thelbësore ndërmjet platformës që unë paraqita në 2009 në Kongres dhe platformës që zbatoi e vazhdon të zbatojë Edi Rama. Në fakt, ishin në konkurrim dy modele funksionimi. Unë propozoja një parti të fortë, me drejtim kolegjial dhe demokraci të brendshme të zhvilluar, me solidaritet njerëzor, të mbrojtur nga kapja prej krimit të organizuar dhe korrupsionit. Këto ishin e janë edhe sot parakushtet që socialistët të përmbushin misionin e tyre historik. Kurse modeli i Ramës, i zbatuar prej tij, ishte dhe mbetet përqendrimi i të gjitha pushteteve në një dorë, të një individi. Koha provoi që ky model çon në mosrespektim të demokracisë së brendshme, në humbje të solidaritetit njerëzor dhe në kapje të partisë e më pas edhe të shtetit nga oligarkët. Sot, kur Ben Blushi, bazuar në statutin e PS, kërkon zgjedhje për kryetarin e PS, reagimet e deritashme nga “kupola” drejtuese provojnë ndër të tjera edhe se çështjet e paraqitura në platformën time të 2009 ishin reale, thelbësore e të tilla mbeten edhe sot. Koha po më jep të drejtë, por çmimi është shumë i lartë, sepse ndërkaq vazhdon të dëmtohet kauza e socialistëve të Shqipërisë: shtet ligjor, ekonomi e zhvilluar, anëtarësim i plotë në familjen euroatlantike dhe kontribut real për çështjen kombëtare.

Cilat kanë qenë dhe mbeten përshtypjet tuaja për garën e vitit 2009 përballë Edi Ramës?
Në Kongresin zgjedhor 2009 unë paraqita platformën time. Ajo u botua në format broshure dhe u shpërnda gjatë takimeve me anëtarët e partisë. U vendos e plotë edhe online (në ‘Youtube’). Me kërkesën time u organizuan takimet e përbashkëta në 12 qarqet e vendit, me kandidatë që flasin përpara të njëjtit auditor sipas modelit të garave zgjedhore në SHBA. Madje, e ftova publikisht Ramën edhe në një debat përmbyllës live në TV, një debat ballë përballë, tek për tek, pa mbështetës rreth e rrotull, por nuk pranoi. Në ditët që vijnë, unë do t’i rikthehem asaj gare, me të gjitha të vërtetat. Interesi i kësaj transparence është që të korrigjohen gabimet e së shkuarës dhe rezultatet që po shohim sot dhe njëkohësisht të shërbehet e ardhmja, që të mos ketë nevojë për korrigjim. Gjithashtu, në shërbim të këtij interesi, cilido që dëshiron mund të analizojë platformën time dhe platformën e Edi Ra-mës, të paraqitura në 2009, duke e referuar secilën prej tyre me gjendjen aktuale në PS dhe në qeverisje. Dhe do të duket qartë se kujt i dha të drejtë koha, nga pikëpamja e interesave të vendit dhe të PS.

Ju që prej kësaj gare keni qëndruar larg PS-së. Pse?
Nuk jam shfaqur në media, por kjo nuk do të thotë se kam qëndruar larg PS. PS nuk janë vetëm forumet drejtuese, aq më pak zyrat e saj. PS është një kauzë, është aspirata për një Shqipëri më të mirë dhe jetë më të mirë për çdo shtetas të vendit tonë, PS është anëtarësia dhe votuesit e saj. Ndërkohë kam qenë në Asamblenë Kombëtare, i votuar nga Kongresi i 2011-ës. Jam aktivizuar edhe në Akademinë Politike të PS-së. Në zgjedhjet 2013 dhe 2015 kam punuar me miqtë e shokët e mi, që i kam të shumtë kudo në Shqipëri dhe në emigracion, që ata vetë dhe familjarët e miqtë e tyre të votonin për PS.

Çfarë do të ndodhë nëse nuk do të ketë zgjedhje në parti dhe nëse nuk reflektohen të gjitha shqetësimet që ju dhe një grup socialistësh keni kërkuar nga lidershipi i PS-së?
Rikthimi i demokracisë në PS nuk është vetëm respektimi i së drejtës për të konkurruar. Sigurisht kjo është e dukshme dhe askush nuk mund të pengojë me pseudoargumente abuzive të llojit “s’duhet të harxhojmë kohë për garë se tani kemi reformat”, “s’ka nevojë për garë, sepse votoi populli, që është më shumë se partia” etj. Justifikime të tilla mund të gënjejnë vetëm naivët, por fatmirësisht të tillë ka gjithmonë e më pak. Kongresi i 19 marsit 2016 do të duhej të ishte përgatitur në të gjithë dimensionet e tij, si Kongresi i partisë më të madhe, që qeveris vendin prej gati 3 vjetësh. Deri tani, përveç anëtarësimeve të reja, kemi parë vetëm proces zgjedhor të delegatëve të Kongresit. Por, kush i ka propozuar kandidatët për delegatë? Kjo është esenciale, sepse të votosh për të zgjedhur ndërmjet kandidatëve të paracaktuar nga “qendra”, nga “lart” dhe jo të propozuar me vullnet të lirë nga anëtarët e partisë, do të thotë që nga ky proces kaq i mediatizuar të dalë një Kongres me një shumicë delegatësh të komanduar nga “qendra” ose nga “lart”, pra jo shprehës të vullnetit të lirë të anëtarëve të partisë e të komunitetit ku ata bëjnë pjesë. Sidoqoftë, edhe nga një shumicë e tillë e pritshme, përsëri ka hapësirë për reflektim për të gjitha çështjet, përfshirë edhe konkurrimin për kryetar të PS-së.

Po çfarë do të ndodhë nëse Kongresi vendos që të mos ketë garë?
Sipas mendimit tim, me garë ose pa garë për kryetar, Kongresi i 19 marsit duhet të pasohet nga një referendum, me pjesëmarrjen e socialistëve dhe progresistëve të tjerë. Një referendum i tillë, i hapur për opinionin publik, do të mund të konfirmojë çfarë do të jetë mirë nga Kongresi i 19 marsit, do të korrigjojë vendimet eventualisht të padrejta dhe do të plotësojë vendimmarrjen me të gjithë elementët e domosdoshëm, që rikthejnë demokracinë në PS dhe garantojnë suksesin e socialistëve në qeverisjen qendrore dhe vendore. Ata që shqetësohen se mund të humbasim “vëmendjen dhe kohën e çmuar që duhet për reformat”, duhet ta dinë se një referendum i tillë është i domosdoshëm pikërisht për të kryer reformat e duhura, reformat reale, që zhvillojnë vendin e që shërojnë shtetin dhe shoqërinë shqiptare nga krimi i organizuar dhe korrupsioni. Mençuria e një referendumi të tillë, domethënë vullneti i shprehur drejtpërdrejt nga qindra mijë mendje, do të përcaktojë edhe vazhdimin e veprimit politik të socialistëve të Shqipërisë.

Zoti Rama krijoi edhe një grup “të urtësh”, me të cilët ai konsultohej herë pas here. Si mendoni, pse dështoi kjo metodë?
Ka shumë kohë që ky grup nuk është ftuar për konsultë. Kjo nuk do të thotë se gjithçka po shkon aq mirë, sa që nuk ka nevojë të harxhojmë kohë për konsulta. Është thjesht një dëshmi tjetër e konceptit vetëgënjyese se “pushteti që ke në duar të bën më të mençur nga sa je në të vërtetë”.

Cili është mendimi juaj për qeverisjen e drejtuar nga Edi Rama?
Një vlerësim i plotë i qeverisjes së derisotme, Rama do të kërkonte analizë të hollësishme. Një analizë të tillë nuk na e lejon vendi dhe as koha e këtij bashkëbisedimi. Ndaj po mjaftohem të them vetëm kaq: sa më parë duhet bërë kthesa majtas, drejt programit elektoral me të cilin PS fitoi zgjedhjet. Gjithashtu, pa humbur kohë, madje përpara se “të pastrojmë Shqipërinë”, duhet pastruar qeveria dhe strukturat rreth saj nga të paaftët e të korruptuarit. Kushdo që jeton në luksin që i ka sjellë e i sjell abuzimi me pushtetin, e ka humbur të drejtën morale që t’i bëjë thirrje popullit për të duruar e pritur deri sa të vijë suksesi nga reformat. Këta lloj individësh, në vend që t’u bëjnë moral të tjerëve e t’u shpjegojnë vështirësitë që sjellin reformat, duhet të përgjigjen përpara ligjit dhe opinionit publik se si e kanë krijuar luksin në të cilin jetojnë. Kushdo që pasurohet falë pushtetit politik, e ka humbur besimin e shtetasve për dekriminalizim dhe sukses në luftën ndaj korrupsionit. Qeverisja, sipas mendimit tim, para se gjithash është çështje aftësie dhe drejtësie. Këta motorë shpirtërorë të zhvillimit ushqejnë shpresën, sjellin durim për të përballuar vështirësitë dhe ngjallin besim për të investuar. Kurse paaftësia, padrejtësia, korrupsioni, demagogjia dhe frikësimi i njerëzve përmes mekanizmave të pushtetit vrasin shpresën dhe sjellin regres. Është koha për reflektim dhe korrigjim.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU