Maqedoni/ Vazhdon injorimi i gjuhës shqipe në Kuvend

Nënkryetari i Kuvendit të Maqedonisë Rafis Aliti pranon se mosdefinimi i qartë i përdorimit të gjuhës shqipe po vazhdon të mbajë peng udhëheqjen e seancave nga ai. Sipas tij kjo është një indikator i mungesës së gatishmërisë së partisë maqedonase, partnere të Bashkimit Demokratik për Integrim të Alitit n Qeverinë maqedonase, VMRO-DPMNE-së, si dhe në përgjithësi klasës politike maqedonase, që të përballen me një realitet të komunikimit me kryesuesin e seancës në gjuhën shqipe.

Siç njofton televizioni Alsat-M, Haliti thotë se pikërisht për shkak të shqipes atij asnjëherë nuk i është dhënë mundësia të udhëheqë me seancat, por nëse një mundësi e tillë i ofrohet ai këtë do ta bëjë në gjuhën shqipe.

“Kryetari i kuvendit deri më tani as nënkryetarëve të partive tjera maqedonase, por edhe mua si nënkryetar nga radhët e BDI-së nuk e ka parë të arsyeshme që të më thërret të udhëheq seancën. Unë edhe njëherë do të theksoj, ja kam bërë të qartë edhe opinionit por edhe kryetarit të kuvendit gjatë takimeve që kam pasur se jam i interesuar të udhëheq seancën e kuvendit, por gjithsesi se do të respektoj atë që ma mundëson ligji, ta udhëheqë atë në gjuhën shqipe,” deklaroi Haliti.

Ndërkaq, eksperti për çështje juridike Naser Ziberi vlerëson se çështja e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe është bërë si ‘thembra e Akilit’ për politikën shqiptare. Ai madje thotë se BDI për 13 vite qeverisje nuk ka arritur të zbërthejë këtë çështje.

“Në fillim të vitit 2016 Qeveri vazhdon të dorëzojë në parlament propozim-ligje në të cilat eliminohet përdorimi i gjuhës shqipe, drejtpërdrejt në kundërshtim edhe me Kushtetutën, edhe me Marrëveshjen e Ohrit edhe me Ligjin për përdorimin e gjuhëve, pra edhe aktualisht nuk respektohen dispozitat aktuale e jo më të pritet ndonjë ndryshim i Ligjit për përdorim të gjuhëve apo ndryshim eventual të Kushtetutës,” u shpreh Ziberi.

Ai gjithashtu thotë se klasa politike shqiptare ende nuk ka një vizion të qartë se si duhet zgjidhur çështja e zbatimit të plotë të ligjit për përdorimin e shqipes, edhe përkundër faktit se partia shqiptare në pushtet para disa kohësh realizoi një analizë të implementimit të MO-së me theks të veçantë përdorimit të gjuhës.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU