Maqedonët treguan demokracinë e tyre ndaj shqiptarëve

Nga Ben Andoni

Prej vitesh, muajsh, javësh, ditësh, shqiptarët kanë treguar se maxhoranca maqedone ishte e padrejtë. Jo thjesht se ajo nuk zbatoi shumicën e gjërave për të cilat ranë dakord në Marrëveshjen e Ohrit bashkë me shqiptarët, porse abuzoi dhe abuzoi pa fund. Nuk është vështirë të shikosh sot sesi gjendja e pjesës shqiptare është më e varfër, nuk është e vështirë të shikosh se sa e kufizuar në përdorim është gjuha shqipe, nuk është e vështirë sot të shikosh sesa e vështirë është të punësohet shqiptari, ashtu si nuk është e vështirë të shikosh gjendjen sesi po sillen forcat e policisë maqedone në orët e fundit, duke lënë huliganët të pushtojnë parlamentin, që ka zgjedhur një kryetar shqiptar.

Prova më e qartë e demokracisë dhe e respektimit të Kushtetutës maqedone ishin këto orë të fundit, kur militantët e maskuar me të zeza të VMRO-DPMNE, pushtuan parlamentin maqedon, të patrazuar nga forcat e sigurisë, që ishin krejt inaktive menjëherë sapo shqiptari Talat Xhaferri u zgjodh si kryetari i ri i parlamenti maqedon.

Zgjedhja e Xhaferrit konsiderohet si një hap i madh, që në rast se do të normalizohet gjendja, hap udhën për qeverinë e re maqedone dhe kthimin në normalitet të vendit të vogël ballkanik, kompleksi i madh i të cilit deri tani shtrihet që nga emri rudiment, përçartje e Titos, por edhe nga bashkëjetesa me shqiptarët.

Ky kompleks i ushqeu të ashtuquajturit nacionalistë maqedonas që jo thjesht kanë rrahur keq disa deputetë të LSDM-së, por flitet se është plagosur rëndë dhe deputeti shqiptar Sela dhe po ashtu edhe Damjan Mançevski, i cili në foto është shfaqur i mbuluar me gjak. Për çudi reagimi publik në masë ka qenë pro këtyre sjelljeve, pavarësisht se pak më vonë institucionet vendase kanë bërë thirrje për qetësi.

Çfarëdo që do të sjellin kohërat, maqedonët kanë treguar dje para të gjithë botës se janë ende të papërgatitur për bashkëjetesë me shqiptarët. (Javanews)

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU