“Palët politike të ulen në dialog”, është ky sugjerimi që jep ish-Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, duke iu referuar situatës së nxehtë politike në vend, pas protestës së opozitës.
Manjani tha në një intervistë për Ora News se çështjet e ngritura nga opozita duhen trajtuar me kujdes dhe jo të lihen pas dore.
“Dialogu politik mungon, ka munguar dhe në të shkuarën por gjithmonë është gjetur një sebep, ose një Ambasador, ose një President, ose një kryetar Kuvendi që të ulë palët në tavolinë. Këtë radhë Ambasadorët me sa duket nuk e kanë me qejf këtë punë, ose nuk e kanë në axhendën e tyre. Dhe nuk mund të presim nga ata tek e fundit. Partitë tona kanë përvojë të mjaftueshme për të shkuar drejt dialogut, insistoj tek dialogu si e vetmja mënyrë që mund t’i bëjë palët të bashkëpunojnë. Zgjedhjet janë pjesë e konkurencës, nuk do fitojnë të gjithë. Dikush do dalë në opozitë, dikush do qeverisë vendin”, – u shpreh ai.
Manjani u ndal edhe në kanabizimin e vendit, fenomen që sipas tij i rrezikon seriozisht zgjedhjet e qershorit.
“Janë elementë të veçantë që i bëjnë edhe zgjedhjet realisht i vënë në rrezik nëse sistemi kriminal, ose i kriminalizimit të shoqërisë është kapilar dhe biznesi i kanabisit tashmë është kapilar, nuk është vetëm një Lazarat. Kemi lugina të tëra, pllaja, pyje, male, toka të braktisura, në veri, jug dhe Shqipëri të mesme të cilët merren me këtë punë”, – përfundoi ai. /b.d