Manastirliu në qendrën sociale në Shkozë: Kujdes shëndetësor afër vendbanimit për komunitetin rom

“Programi i shërbimit shëndetësor dhe social në komunitet do të rinisë, për të dytin vit radhazi, për të garantuar shërbime afër vendbanimit për kategoritë vulnerabël, posaçërisht për komunitetin rom dhe egjiptian”.

Në Ditën Botërore të Romëve, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu u ndal në qendrën sociale në Shkozë, ku u ofrua shërbimi I mamografisë për gratë rome, shërbimi dentar dhe vaksinimi falas për fëmijët e komunitetit rom.

”Programi që nisim sot, për të dytin vit me radhë I shërben jo vetëm ndërgjegjësimit të komunitetit rom për kujdesin parandalues por edhe përmirësimit të shëndetit të tyre, duke rritur aksesin në shërbime shëndetësore, aty ku ata jetojnë”, tha Manastirliu.

Ministrja deklaroi gjatë vizitës në komunitetin rom në Shkozë, se do të integrohen shërbimet sociale dhe shëndetësore, për të siguruar më shumë mbrojtje për kategoritë në nevojë.
“Po punojmë fort për të bashkërenduar kujdesin shëndetësor me atë social. Me strategjinë tonë të kujdesit parësor, të cilin e shpallim së shpejti, do të kemi të integruara këto dy shërbime. Kemi filluar të pilotojmë në qendra shëndetësore të veçanta kujdesin socio-shëndetësor. Dhe do ta zgjerojmë fillimisht në ato zona ku jetojnë komunitete vulnerabël, që kanë nevojë për akses në shërbime socio-shëndetësore në komunitet” – tha Manastirliu.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, prej Janarit 2018 ka nisur programin e kujdesit shëndetësor në komunitet, duke i kushtuar vëmendje të posaçme vaksinimit, mamografisë dhe shërbimeve të tjera parandaluese.

Nga ky program, kanë përfituar banorët të komunitetit rom në zonat me përqëndrimin më të lartë të këtij komuniteti në të gjithë vendin. Janë vaksinuar rreth 1000 fëmijë, kanë kryer mamografinë dhe eko rreth 200 gra rome si dhe kanë përfituar nga vizitat e syve falas rreth 90 fëmijë.

g.kosovari

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU