Manastirliu në OKB: Zgjerojmë financimin e programeve të mbrojtjes sociale, prioritet fuqizimi i gruas

Qeveria shqiptare po zgjeron financimin publik për programet e mbrojtes sociale, për herë të parë në 15% të shpenzimeve publike, me fokus të veçantë te fuqizimi ekonomik i gruas”. Deklarata u bë nga Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, në fjalën e saj në panelin kryesor të sesionit të 63-të të Komisionit të Statusit të Gruas, që po zhvillon punimet në Organizatën e Kombeve të Bashkuara në New York.

“Para një viti para këtij komisioni theksova se qeveria shqiptare ka filluar implementimin e një prej prioriteteve të saj lidhur me barazinë gjinore dhe fuqizimin e grave dhe vajzave për të marrë një rol më aktiv në shoqëri. Mbrojtja sociale, shërbimet publike dhe infrastruktura e qëndrueshme janë të ndërlidhura dhe nuk mund të shikohen si të ndara nga njëra tjetra, për të krijuar politika koherente që do të tejkalojnë barrierat që pengojnë gratë dhe vajzat të kenë akses në politikat sociale” – ka nisur fjalën e saj ministrja para përfaqësuesve të 70 shteteve.

Duke theksuar progresin e bërë për rishikimin e kuadrit ligjor, me qëllim përmirësimin e shërbimeve të mbrojtjes sociale, Manastirliu u shpreh në fjalën e saj, se:

“Strategjia Kombëtare dhe Plani Veprimit për Barazinë Gjinore 2016-2020 ofron një vizion të qartë që e vendos barazinë gjinore në qendër të prioriteteve tona të zhvillimit kombëtar dhe në rrugën drejt integrimit europian. Në 2017 miratuam një ligj të ri për financimin e pushtetit vendor, që u mundëson grave dhe burrave barazi në vendimarrje, në mënyrë që bashkitë të vendosin në prioritetet e tyre buxhetimin gjinor. Në shtator 2018 miratuam për herë të parë Planin Kombëtar të Veprimit bazuar në rezolutën 1325 të OKB për “gratë, paqja dhe siguria” – deklaroi Manastirliu.

Një rëndësi të veçantë në fjalën e Manastirliut ka marrë edhe rritja e shpenzimeve publike nga qeveria shqiptare, për gjithëpërfshirjen sociale.

“Mbrotja sociale përfshin 15 % të shpenzimeve publike në Shqipëri. Për të maksimizuar potencialin e sistemit të mbrojtjes sociale, politikave publike apo infrastrukturës së qëndrueshme, është e rëndësishme që të punohet për krijimin e vendeve të reja të punës. Vetëm në këtë mënyrë mund të parandalojmë diskriminimin dhe dhunën, të fuqizojmë gratë dhe vajzat duke i përfshirë në tregun e punës ” – nënvizoi ministrja.
Më herët, Manastirliu u prit në një takim të posaçëm nga nr. 2 i OKB-së, zv/Sekretarja e Përgjithshme, znj. Amina J. Muhammed, e cila vlerësoi përpjekjet e qeverisë shqiptare për mbulimin shëndetësor universal, progresin në adresimin e çështjeve që lidhen me barazinë gjinore dhe përfshirjen e grave të vendit tonë, në qeverisje dhe vendimmarrje.
Ministrja Manastirliu po merr pjesë në Sesionin e 63 të Komisionit për Statusin e Gruas, që po zhvillon punimet në Neë York, me përfaqësues të lartë nga 70 vende, për të shkëmbyer eksperiencat për sistemet e mbrojtjes sociale, aksesin në shërbimet publike dhe krijimin e një mjedisi të përshtatshëm për nxitjen e barazisë gjinore. /a.meta

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU