“Rreth 50% e investimeve në shëndetësi me buxhetin e vitit 2019 do të shkojnë për fuqizimin e spitaleve rajonale”. Gjatë prezantimit të buxhetit të vitit të ardhshëm, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale deklaroi se do të investohet për rritjen e cilësisë së shërbimit afër vendbanimit.
“Me buxhetin e vitit 2019 vijojmë me investime të rëndësishmë nga veriu në jug nga Spitali i Kukësit, tek investimi në Spitalin Pediatrik Durrës, përfundojmë investimin në Spitalin e urgjencës dhe patologjisë në Elbasan, në Poliklinikën e Vlorës dhe rijetësojmë të gjithë spitalet rajonale në vend”, tha Manastirliu.
Nga investimet në infrastrukturën e këtyre spitaleve përfitojnë drejtpërdrejtë 835 mijë qytetarë.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale deklaroi se me investimet e vitit të fundit, është rritur numri I qytetarëve që marrin shërbimin afër vendbanimit.
“Ju sot jeni dëshmitarë se si shërbime që deri dje mund të merreshin vetëm në Tiranë sot ofrohen në spitalet rajonale. Sot Spitalet Rajonale kanë rritur aktivitetin e tyre spitalor me mesatarisht 20% më shumë pacient të shtruar dhe të trajtuar”, tha Manastirliu.
Vetëm gjatë vitit 2018 u investuan 4.5 milion euro në aparatura mjekësore të teknologjisë së lartë në të gjithë spitalet rajonale, duke siguruar shërbim cilësor afër vendbanimit të qytetarëve për shërbime që më parë detyroheshin ti merrnin në Tiranë.
/b.d