Manafort shqetëson Trumpin, pakt fajësie me prokurorët?

Ish-kreu i fushatës zgjedhore të presidentit Donald Trump dhe një prej lobistëve më të shquar të Uashingtonit, Paul Manafort duket se është shumë pranë arritjes së një marrëveshjeje fajësie me prokurorët federalë, në mënyrë që të shmangë gjykimin e parashikuar për javën e ardhshme mbi akuzat që rrjedhin nga puna e bërë prej tij në favor të forcave politike proruse në Ukrainë.

Manafort është dënuar gjithsesi mbi akuza të lidhura me mashtrime bankare apo evazion fiskal, që u ngritën pas një hetimi të kryer nga prokurori special Robert Mueller.

Negociatat për paktin e fajësisë lidhen me një set tjetër prej 7 akuzash, përfshi këtu komplot, pengim të drejtësisë, pastrim parash, deklarata të rreme dhe shkelje të ligjit për deklarimin e lobimit.

Gjithsesi, nuk është ende e qartë se për cilat akuza Manafort do të pranojë fajësinë, apo nëse ai do të bashkëpunojë me ekipin e Muellerit në hetimin e tij mbi ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, bashkëpunimin e mundshëm me drejtues të fushatës së Trumpit, apo pengimin e drejtësisë nga shefi i Shtëpisë së Bardhë.

Gjyqi ndaj Manafortit mbi këtë set të dytë akuzash pritet të zhvillohet të hënën në gjykatën e Uashingtonit. Ndërsa seanca dëgjimore, e cila ishte programuar më herët por u shty për këtë javë, parashikohet të zhvillohet sot.

Një juri nga Virxhinia e Veriut e dënoi Manafortin muajin e kaluar mbi 8 akuza për mashtrim financiar bazuar kryesisht mbi të njëjtat prova që prokurorët planifikojnë të prezantojnë edhe në gjyqin e dytë. Ai mund të përballet tashmë me një trupë gjykatësish më liberalë në Uashington, krahasuar me gjyqin e parë në Alexandria të Virxhinias.

Një marrëveshje fajësie nga Manafort do të ishte tronditja e radhës për presidentin, i cili duket gjithnjë e më i izoluar dhe mosbesues ndaj njerëzve të rrethit të tij më të afërt. Për muaj të tërë, Trump e lavdëroi Manafortin për sfidën që i bënte Muellerit dhe jo negociimin e një marrëveshjeje fajësie.

Deri më tani, 4 ish-ndihmës të Trumpit kanë pranuar fajësinë mbi akuzat e ngritura nga prokurori special Mueller: Michael Cohen, ish-avokati personal i presidentit; Michael Flynn, ish-këshilltari për Sigurinë Kombëtare; Rick Gates, ish-zv.kryetar i fushatës; si dhe George Papadopoulos, ish-këshilltar fushate.

ma.me

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU