Makina e gruas së kryeministrit britanik dhe qeverisja shqiptare

Nga Skënder Minxhozi/

A ka ndonjë bashkëshorte apo fëmijë politikani shqiptar, nga ata që i shohim çdo të enjte në sallën e Kuvendit të Shqipërisë, që do të pranonte të ulej në makinë që emrin e ka Nissan Micra, që është prodhuar në vitin 2004 dhe që për më tepër kushton “vetëm” 1500 sterlina?! Nëse sheh parkingun e makinave të vetë politikanëve apo gjykatësve e bankierëve, por edhe fotot që postojnë në Instagram e Facebook fëmijet e bashkëshortët e tyre, kupton se kjo është praktikisht e pamundur.

E megjithatë kryeministri britanik, kreu i fuqisë së pestë ekonomike të botës, sapo i ka blerë gruas një makinë të tillë. Nuk ka vajtur të blejë një Bentley (si ato që shohim jo rrallë nëpër rrugët e Bllokut), aq më pak një Aston Martin, apo qoftë dhe një Land Rover të gjeneratës së fundit, që të gjitha makina britanike, por ka paguar një shumë modeste për të blerë një makinë japoneze të vjetër dhe tejet të zakonshme. Madje një makinë totalisht jashtë kohe, nëse sheh trafikun e sotëm londinez, ku bredhin sheikë më Lamborghini të lyera në ar.

Nëse David Cameron ka kërkuar të bëjë një gjest publicitar modestie, duke investuar për imazhin e tij si politikan i përgjegjshëm, ja ka arritur plotësisht qëllimit. Pronari i dyqanit që shiti Nissanin e gruas së tij është duke shijuar famën që i dha vizita e kryeministrit, ashtu si ky i fundit ka luksin të këqyrë jo pa kënaqësi, habinë e pse jo edhe admirimin që ngjall tek publiku britanik dhe ai boteror një veprim i tillë.

Por me shumë gjasë, ka edhe nga ata që do kenë ngritur supet dhe nënqeshur me ironi, teksa kanë parë njeriun më të fuqishëm të Britanisë, të blejë një makinë të përdorur 12 vjeçare për gruan e tij. Një pjesë e këtij publiku “sqimatar” me siguri ndodhet mes nesh këtu në Shqipëri, ku pasuria dhe luksi i pajustifikuar, janë kthyer tashmë në një normë të pacënueshme as nga institucionet, as nga ligji.

David Cameron i ka paratë për të blerë një makinë dinjitoze për bashkëshorten e tij. Njeriu që gjatë vitit 2015 mori një pagë prej 214 mijë dollarësh amerikanë, natyrshëm që mund t’ja lejojë vetes një makinë për të qenë për të shoqen. Por, larg çdo idealizimi, pasuria dhe mënyra e jetesës së politikanit, janë mesazhi që ai jep për shtetasit që drejton. Dhe mesazhi që një politikan i sotëm europian apo i një vendi tjetër perëndimor jep nga posti që mban, përbën një çeshtje shumë të debatuar në shoqëritë e civilizuara.

Krejt e kundërta ndodh tek ne, ku pasuria jetohet dhe shijohet, ku privilegjet gllabërohen e vidhen, por ku nuk ka asnjë standart llogaridhënieje. Natyrisht që në një Nissan Micra të vitit 2004 udhëtohet jo mirë, krahasuar me një Mercedes apo BMW të vitit të fundit. Natyrshëm që në një apartament modest jetohet sërish jo mirë, krahasuar me një mega-vilë në Lalz apo diku tjetër. Por përtej çdo retorike dhe propogande false, ajo që ndodh me pasuritë e politikës dhe sistemit të drejtësisë sot në vendin tonë, është një fenomen që ka dalë jashtë çdo kontrolli dhe që ka tejkaluar çdo limit të imagjinueshëm. Zyrtarët shqiptarë në politikë, qeverisje apo në sistemin e drejtësisë, janë sot zengjinë të kripur në para publike, të cilët shteti i dobët dhe i korruptuar që kemi ndërtuar këto 25 vjet, as ka mundur t’i identifikojë apo ndëshkojë, e as ka mundur të largojë nga rradhët e veta zullumqarët që kanë përvetësuar pasurinë publike.

Për këto arsye makina modeste e gruas së David Cameron është ende një objekt humori dhe talljesh cinike në pallatet e pushtetit të kryeqytetit më të varfër të Europës.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU