Deputetët e Lëvizjes Socialiste për Integrim, u larguan nga salla e Parlamentit ku mbahet seanca e fundit për këtë sesion.
Zv.kryetari i LSI, Luan Rama, kërkoi që Kuvendi të shtyjë punimet deri sa të gjendet zgjidhja për reformën në drejtësi. Ndërkohë në seancën e sotme, deputetët e Partisë Demokratike nuk janë paraqitur ende.
Në një prononcim jashtë sallës së Kuvendit, Rama tha se në momentin që nuk ekziston Gjykata Kushtetuese, parlamenti dhe institucionet duhet të ndërpresin veprimtarinë e tyre, pasi kjo gjykatë është kontrollorja e funksionit të tyre.
“Në bashkëpunimin si opozitë edhe PD, ka qenë e gatshme për një diskutim të hapur dhe tryezë institucionale që zgjidh problemet e reformës në drejtësi. Jemi në një kolaps institucional, do të bllokohen gjykatat dhe më pas ligjin do e bëjnë bandat”, u shpreh Luan Rama.
Zv.kryetari e cilësoi si situatë emergjence kombëtare, ku ndodhet pa gjykatat kryesore të saj.
Po ashtu ai kërkoi nga salla që Kuvendi të vijojë punën dhe të mos mbyllë sesionin sot, duke kërkuar që të zgjidhen çështjet e Gjykatës Kushtetuese.
Ai tha se LSI është e bindur që reforma në drejtësi duhej bërë, por mbi bazën e parimeve që u sanksionuan me ndryshimet kushtetuese./a.m.