“Magjepsi” me CV-në, universiteti: Kryeministri i Italisë nuk rezulton në arkivat tanë…

Tashmë italianët kanë mësuar emrin e kryeministrit të ardhshëm. Bëhet fjalë për profesorin Giuseppe Conte, emri konsensual i zgjedhur nga Lëvizja “5 Yjet” dhe “Lega” i cili pritet të marrë detyrën.

Emri i tij ka qenë i lidhur më shumë me partinë e majtë të Mateo Renzit dhe u duk befasi përzgjedhja e tij, por kujtojmë se ai ka punuar për programin e Lëvizjes “5 Yjet”.

Tani që mungon vetëm zyrtarizimi, gazetarët italianë kanë nisur hulumtimet për të shkuarën e profesorit, për të bërë një verifikim të CV-së tij të pasur, me 16 faqet e së cilës ai i ka habitur të gjithë.

Askush nuk dyshonte në të shkuarën e tij prej akademiku dhe në rezultatet mjaft të larta studimore në Itali dhe përtej oqeanit, në Shtetet e Bashkuara.

Pikërisht nga ky vend, vjen një përgjigje e beftë. Sipas New York Times, nga verifikimet e bëra rezulton se Conte nuk ka kryer asnjë specializim në Universitetin e New Yorkut, ndryshe nga sa profesori shkruan në CV-në e tij.

“Një person me këtë emër nuk rezulton në arkivat tanë si student apo pjesëtar i stafit akademik”, është përgjigja e universitetit pas interesit të koresponentit të New York Times.

Në CV-në e tij, kryeministri i ardhshëm italian shkruan se mes viteve 2008-2013, ka kryer një sërë specializimesh dhe seminaresh në universitetin në fjalë. Por, asnjë gjurmë e emrit të tij nuk gjendet në arkiva sipas zëdhënësit të universitetit./JavaNews/a.m.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU