MAFIA shqiptare ka shtetin, politikanëve u mbetet show

Nga Ben Andoni

Gati shtatë vjet më parë, R.Seseri dhe E.Braçe, dy deputetët e atëhershëm  të parlamentit shqiptar, në një shkrim të tyrin në një të përditshme bënin një apel shqetësues, pas asaj që kishte referuar Shërbimi Informativ Kombëtar në Komisionin e Sigurisë Kombëtar. Shqipëria nuk ishte thjesht vend larje parash të pista, larje hesapesh, por edhe investimesh të dyshimta, vend ku organizatat kriminale italiane dhe të tjera të huaja kishin lidhje me kolegët e tyre shqiptarë, lidhje me vendet latine të drogës dhe përpjekje për investime të tyret dhe kështu me radhë. Në një listë të gjatë, brenda një shkrimi analitik ata tregonin rrezikshmërinë e gjëndjes së vendit para një situate të tillë, që po përshkallëzohej.

Fatkeqësisht shumë vite më vonë pak gjëra kanë ndryshuar sa i përket dëmtimit të MAFIA-s kombëtare, eliminimi do ishte absurditet (Përcaktimi kombëtar këtu përfshin dhe Kosovën). Argument për ne janë vrasjet e shumta të sofistikuara pa autor, mbjellja e sipërfaqeve të shumta me hashash dhe tashmë superprodhimi i frikshëm i drogës, si edhe tonelatat e kontrabanduara në shtetet fqinje, e investimet e dyshimta që kanë bërë që njerëzit të mendojnë se vendi i ka humbur betejat e para me MAFIA-n.

E më keq akoma, në Shqipëri, nga gjërat që po shikohen më së shumti MAFIA kombëtare e ka betejën tashmë me veten e saj. Dhe, po e tregon më së miri në larjen e hesapeve. Këto ngjarje të ditëve të fundit janë thjeshtë indikacione sesi funksionojnë.

Interesante është se ascila nga partitë kur vjen në fuqi nuk e pranon, porse kur janë në opozitë ato e pohojnë frikshëm duke e deleguar fajin! E frikshme ishte se në këtë legjislaturë u zbuluan një sërë deputetësh me rekorde kriminale, shtuar dhe me shumë përfaqësues të pushtetit lokal. Fakt që të bën të mendosh se politika nuk bën dot pa MAFIA-n vendase dhe anasjelltas.

Vrasja e bankierit Santo me ende të pagjetur shkaktarët e atentatit; dhunimi barbar i biznesmenit palestinez, përfaqësuesi i një kompanie që po ndërtonte një resort turistik në Gjirin e Lalzit me plan të investonte për turizmin në Shqipëri 1.5 miliard dollarë; janë disa nga veprimet e dukshme të MAFIA-s tonë.

Fatkeqësisht përcaktimet më origjinale për MAFIA-n tonë ne i gjejmë nga burime të huaja. Kështu, p.sh. prokurori i Gjenevës Yves Bertossa në një intervistë për agjencinë e lajmeve “Presheva Jonë” teksa mundohej të gjente pozitiven për shqiptarët e Zvicrës shtonte se “bandat shqiptare kanë në dorë heroinën në Zvicër.” “Ky rrjet trafikantësh përbëhet kryesisht nga njerëzit nga Shqipëria dhe Kosova dhe kjo “mafie polikriminale “ është mjaft aktive në disa fusha të kriminalitetit..” ka pohuar prokurori Bertossa duke shtuar se “Shqipëria fatkeqësisht sot është bërë një Kolumbi evropiane…”.

Kurse shkrimtari Roberto Saviano do të shtonte se: “Rritja e trafikut të drogës dhe akuzat  ndërkombëtare në adresë të Shqipërisë si një qendër transiti apo bazë e drogës që po furnizon jo vetëm vendet fqinje Serbinë dhe Greqinë por edhe pjesë të tjera të Ballkanit dhe ato evropiane sjell frikën që Shqipërinë të mos e quajmë më “Kolumbi”, por Kolumbinë si Shqipëria ?!… ”, është cituar shkrimtari më i njohur anti-MAFIA në Europë, nga i njëjti portal.

Të gjitha këto, që janë thjesht maja e ajsbergut, çfarë ndodh në Shqipërinë e padukshme, atë ku nuk penetron dot politika prej kriminalizimit të saj, por që e ushqen falë reformave gjysmake, që s’po mundin ta trandin vendin tonë në rrugën e duhur të zhvillimit. Megjithatë nga monopolizimi i jetës politike, përçudnimi i kushtetutës në atë mënyrë që sot populli thjesht çohet në votime, por çdo gjë zgjidhet vetëm nga politika duket se po e bën Shqipërinë një vend që i është përkulur MAFIA-s. Vrasjet e fundit janë thjesht indikacione që tregojnë se MAFIA ka shtetin e vet de facto dhe as nuk pyet për shtetin de jure të shqiptarëve. (Javanews)

 

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU