Ministri i Jashtëm i Malit të Zi, Igor Lukshiç është tërhequr nga gara për sekretar të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, duke lënë dhjetë kandidatë të tjerë, të garojnë për të zëvendësuar Ban Ki-Moon.
Lukshiç u ka dërguar një letër anëtarëve të OKB-së, ku i ka njoftuar për tërheqjen nga gara. Ky veprim, sipas njoftimit që e transmeton Rel, vjen pasi Lukshiç doli i fundit në një sondazh për kandidatët të cilët shpresojnë ta zëvendësojnë Ban, mandati i të cilit përfundon më 31 dhjetor.
Sipas traditës, ky post diplomatik shkon me rotacion nëpër rajone. Azia, Afrika, Amerika Latine dhe Evropa, të gjitha kanë pasur kandidatin e tyre në krye të OKB-së.
Vendet e Evropës Lindore, përfshirë edhe Rusinë kanë thënë se ata asnjëherë nuk kanë pasur postin e sekretarit të përgjithshëm dhe se është radha e tyre.
Në letrën e tij, Lukshiç ka thënë se “për hir të pronësisë së barabartë të të gjitha rajoneve, në kuadër të OKB-së, shpresoj që argumenti i Evropës Lindore të mbizotërojë kur të vije fjala për marrjen e vendimit përfundimtar”.
Në postin e sekretarit të përgjithshëm të OKB-së asnjëherë nuk është zgjedhur një grua dhe një grup prej 56 shteteve janë duke bërë fushatë që këtë radhë të zgjidhet një grua.
Në sondazhet e bëra për postin e sekretarit të përgjithshëm të OKB-së është duke kryesuar ish-kryeministri protugez Antonio Guterres, referon Koha. (b.an)