LSI, Erisa Xhixho: Garë reale për kreun e partisë

Me garën për lidershipin e ri të partisë, Lëvizja Socialiste për Integrim synon të rritë frymën e përfaqësimit politik. Këtë e ka shprehur kryetarja e Komitetit Drejtues Kombëtar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Erisa Xhixho, në rubrikën e opinion në “News 24”.

Lidhur me tre kandidaturat për kreun e LSI, Xhixho u shpreh e kënaqur për faktin se ka një garë reale brenda partisë.

“Jam shumë e kënaqur që ka një garë reale brenda LSI në zgjedhjet për kryetar, pasi debatet, platformat, diskutimet e zhvillojnë partinë dhe e hapin atë drejt mendimit ndryshe në funksion të përmirësimit të vetvetes. Kam mundur të njihem me disa nga mendimet e kandidatëve, pasi ende jemi në fillimet e garës. Mendoj që është e rëndësishme që të tre kandidatët janë për hapjen e partisë drejt intelektualëve, rinisë dhe përfaqësimin dinjitoz të tyre”, tha ajo.

Xhixho thotë se procesi i riorganizimit të LSI do t’i shërbejë shumë edhe zgjedhjeve të përgjithshme të 2017, pasi do të evidentohen dhe promovohen drejtues të rinj në gjithë vendin.

“LSI ndodhet në një moment shume të rëndësishëm siç janë zgjedhjet të cilat kanë si synim fuqizimin e partisë dhe hapjen e saj, duke i dhënë mundësi çdo personi të zgjidhet dhe të zgjedhë që nga organizata bazë e deri te kryetari i partisë, sipas parimit ‘një anëtar, një votë’”, tha Xhixho.

Ajo vë në dukje se sipas statusit do të zhvillohen zgjedhjet për delegatët në Konventën Kombëtare të LSI-së, ku 50% e delegatëve do të jenë gra dhe vajza, ndërkohë 30% do të vinë nga LRI.

Sakaq, Xhixho u shpreh se, “Shqipëria ka nevojë për të rinj të mirëarsimuar dhe të kualifikuar, në mënyrë që t’i shërbejnë sa më mirë interesave të qytetarëve në qeverisje dhe të sigurojnë një përfaqësim sa më dinjitoz të tyre”.
BW/d.i.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU