LSI, “çanta e zezë” dhe afera e përgjimeve

Shqetësimeve mbi të ashtuquajturën afera e pajisjes së përgjimit, tashmë i është bashkuar edhe LSI-ja, parti kjo e koalicionit qeveritar. Sekretari i Përgjithshëm i LSI, Luan Rama, në një intervistë për mediat, i ka kërkuar Prokurorisë të hetojë për të vërtetuar nëse një pajisje e tillë egziston në Ministrinë e Brendshme, duke ngritur edhe argumentin se edhe nëse ajo është në përdorim të italianëve, sërish duhet të jetë e dokumentuar. Madje ai shkon dhe më tej duke lënë të hapur edhe mundësinë e një hetimi parlamentar.

Reagimi i LSI-së vjen në një kohë kur rreth kësaj çështje janë grupuar disa figura të larta të shtetit duke filluar që nga Presidenti Nishani, Kryeprokurori Lllalla, shefi i shërbimit sekret Visho Ajazi. Si për ta bërë më të besueshme këtë fabul edhe ish kryeministri Berisha nuk ka mbetur pas, duke publikuar madje dhe një listë politikanësh dhe krerë institucionesh që janë vënë nën përgjim nëpërmjet kësaj aparature. Një fabul e cila duket se është ngritur nga hiçi, por që me deklarata të drejtpërdrejta apo të nënkuptuara, po përpiqet të marrë formë konkrete.

Ajo që bie në sy në gjithë këtë histori, si në filma me 007, nuk është rreshtimi i kuartetit Nishani, Lllalla, Ajazi, Berisha në linjën e konspiracionit me aparaturën e përgjimit, por edhe investimi politik i LSI-së në këtë drejtim. Në fakt LSI-ja për një kohë relativisht të gjatë ka qenë objekt dhe subjekt i përgjimeve nga brenda apo jashtë rradhëve të saj. Nga ana tjetër duket se dhe ajo të njëjtin fat u ka dhuruar edhe kundërshtarëve të saj politikë. Vetë kreu i LSI ka qenë subjekt i përgjimeve nga zëvendësi i tij partiak, gjatë kohës që qeveriste me PD. Rasti i ish-ministrit Dritan Prifti, që përgjoi një bisedë me kryetarin e  LSI, Ilir Meta, për afera koncesionesh, ngriti edhe siparin e përgjimeve që u bën publike ndaj zyrtarëve më të lartë të shtetit.

Ndjeshmëria ndaj përgjimeve duket se është në shkallë të lartë po të kemi parasysh se edhe skandali seksual i ish-kryetarit të Bashkisë së Dibrës Shukri Xhelili, përflitet se mund të ketë pas “dorën” e aleatit të vogël brenda maxhorancës. Kjo çoi në shkarkimin e Xhelilit, nga posti i kryebashkiakut. Por rasti Xhelili duket se është një episod i rradhës në betejën e deklarimeve që kundërshtarët politikë po i bëjnë njëri tjetrit se kanë në duar përgjime që do t’ua “shkrumbonin” karrierën politike apo administrative.

Në jo pak raste është lakuar edhe një “çantë e zezë” që kreu i komisionit të Sigurisë Kombëtare, Spartak Braho, mban në duar, ku në jo pak raste është lënë të nënkuptohet se mban brenda saj “bëma dhe gjëma” përgjimesh. Ajo “çantë e zezë” shfaqet sa herë ka ndonjë ofensivë politike në adresë të LSI-së. Siç vihet re, ndjeshmëria lidhur me përgjimet duket logjike sepse sepse shpesh ndodh si në botën e egër të kafshëve, ku “nga sulmues, mund të përfundosh edhe pre”.

A.M

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU