“Lordi Xhim” vjen në shqip nga Zef Simoni

 

Nga Ben Andoni

Libri i Josef Conrad “Lordi Xhim” e ka të siguruar suksesin shqiptar qysh prej emrit të autorit, emrit të përkthyesit dhe mbi të gjitha përzgjedhjeve të “PEGI”-t,  kolanës së vet të autorëve klasikë që së fundmi i ka shtuar dhe një nga autorët më të mirë të fillim-shekullit të shkuar.

Pyetja e parë provokuese, që mund t’i vijë një Mefistofeli shqiptar, është se për çfarë na duhet ky libër?! Në fakt, nuk na duhet për asgjë, mund t’i gjegjemi sepse edhe klasikë më të vonët, por edhe autorë më bashkëkohorë nuk na hyjnë asfare në punë, në konceptin që mbizotëron sot në Shqipëri, ku njerëzit lexojnë pak dhe gjykojnë (përflasin) shumë.

Kjo vepër e Conrad nuk mund të jetë më e shquar realisht se “Zemra e errësirës”, por njësoj shquhet për përshkrime të hollësishme, për mënyrën sesi e mban pezull vëmendjen e lexuesit, që realisht përpiqet ta lexojë dhe mbi të gjitha, artin e shkrimit të autorit dhe mesazhet e kohës që kanë universalitet.

Xhimi s’është asfare lord, por në një vend ku do e përcjellë historia e librit, ai realisht trajtohet si një njeri fisnik, që në gjuhën e vendit përcillet me një fjalë e cila është ekuivalente me Lord.

Romani mund të konsiderohet i ndarë në dy pjesë, ku ndërsa në të parën është rënia e personazhit tonë, të cilin e hasim nga përshkrimi që i bën Conrad me anë të një personazhi të zgjedhur në vetën e parë dhe pastaj vjen ngritja e tij.

Në pjesën e parë ai shpëton në anijen që përcjell pelegrinët në Mekë dhe del para gjyqit, ku ndjen zhgënjimin e madh se nuk trajtohet si hero i vërtetë ndërkohë që duhej të vepronte më trimërisht; kurse në pjesën e dytë, ku është dhe ndjehet vërtetë “Tuan”- Lord, sepse në një vend të izoluar ku do të gjendet, arrin të organizojë njerëzit kundër një pseudo-regjimi. Por, këtu do marrë dhe një të goditur jo të lehtë.

Romani do të nxjerrë në gjykimin tonë forcën e individit, kurse Marlou (personazhi i famshëm që Conrad e përdor edhe në romane të tjera) na thotë disi cinik se: Xhimi është një nga ne: kupto një nga njerëzit që përcjellin civilizim ndër të tjerët. Por, Xhimi ka një të shkuar që nuk mund të krenohet, teksa jeta dhe sfida e kanë treguar me cilësi të mira në të tashmen dhe të ardhmen e librit ku në formë universale ai i tregon cilësitë e veta në përballjet me lloje të ndryshme qeniesh, ku lodrojnë karaktere të shumëllojta. Conrad na flet përmes Shtain (vetën e parë të tij), që na e përcjell Xhimin si një figurë tejet romantike.

Romani ka një strukturë tejet të komplikuar, pasi ai na tregohet përmes Marlout tek një grup të tjerësh që e dëgjojnë. Por vështirësia dhe humbja e vëmendjes të bën ta humbasësh kur shikon se edhe personazhet e tjera tregojnë historitë e tyre. Kështu ngjarjet realisht ti i kap në kënde të ndryshme shikimi disi të hallakatura.

Libri është një armik për lexuesit sipërfaqësorë dhe po ashtu ata skrupulozë që humbasin në përshkrime dhe ndërthurrje historish. Në fakt, po të futesh me qetësi dhe t’i kushtosh kohën e mjaftueshme librit, ai fillon e mbaron në një linjë, por vallë a do e kesh atë forcë, ai që konsiderohet si dembel?!

Një pyetje që lind vetvetiu është se: A ka romani atë sens që e shikon edhe te Zemra e errësirës dhe që ndërlidhet me misionin civilizues dhe bëmat e Mbretëreshës së detrave?! Në fakt, ti, si lexues deri në fund, e has atë që quhet disi e papërpunuar, atë të egrën, që dominon mbi pjesën e civilizuar.

Mbase kjo është edhe fryma e vërtetë e romanit, ajo që mund ta bëjë të kapshëm për ditët tona, paçka se për hir të së vërtetës, jo aq shumë.

Romani të lodh me faqet dhe me shtjellat por është një shok i mirë për ata që duan

të kuptojnë stilin dhe duan të lexojnë një shkrimtar, një nga ata që po ta krahasosh me bashkëkohësit e vet ballkanikë kishte një diferencë skajore.

“PEGI” duhet të vlerësohet për përzgjedhjen dhe mbi të gjitha faktin që detyrën e përkthimit ia ka lënë z.Simoni, një punëtori të palodhshëm të shqipes dhe një skrupulozi në përkthim, që duket se ka zgjidhur mirë idenë dhe regjistrin e punës brënda ftohtësisë british.

Në fund, me një fjali, mund të themi se “Lordin Xhim”, paçka fjalëve, që kemi shkruar, shijohet…për ata që dinë të lexojnë.

252cbe97-53a0-41f3-909e-49ba49e24313Titulli: Lord Xhim

Autor:              Joseph Conrad

Shqipëroi:        Zef Simoni

Botues:            PEGI

Faqe:               400

Çmimi:            1.000Lek

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU