Loja e Ramës me Greqinë dhe 12 milje detare në mes

Nga Skënder Minxhozi/

Qeveritë shqiptare kanë pasur përherë një nerv të zbuluar në politikën e tyre të jashtme: kanë qenë marrëdhëniet me fqinjin tonë jugor Greqinë. Një vend anëtar i BE dhe i NATO-s, ku jetojnë disa qindra mijë shqiptarë dhe me te cilin kemi një listë të gjatë problemesh ende të pazgjidhura, ndërkohë që erërat nacionaliste që fryjnë prej kohësh që s’mbahen mend mes dy anëve të kufirit, kanë bërë që avancimi të jetë i ngadaltë dhe thuajse përherë i paragjykuar.

Megjithatë mes qeverisjeve të fundit, ajo e Berishës dhe kjo e Ramës ndryshojnë kryekëput në qasjet e tyre zyrtare ndaj Athinës. Qeverisja tetëvjeçare e Berishës u shënua një qëndrim i rregullt lëshues ndaj kërkesave greke. Duke nisur me hapjen e shkollave greke në Jug të Shqipërisë, pak pasi e djathta fitoi zgjedhjet e vitit 2005, tek marrëveshja për varrezat e të rënëve grekë, e duke kulmuar në marrëveshjen detare të vitit 2009. Kur, sipas Gjykatës Kushtetuese, e cila e hodhi poshtë atë, u tentua të preket integriteti territorial i Shqipërisë.

Ka qenë një bindje e vjetër e Berishës, se Greqia ka një rol të madh në punët shqiptare, kryesisht në rrëmujën biblike të vitit 1997, e për pasojë, duhet mbajtur afër që të mos shkaktojë dëme. Është një e vërtetë aksiomatike se ish-presidenti shqiptar e ka pasur për shumë kohë thuajse obsesion këtë rrethanë, e kjo duket se kushtëzoi më pas qëndrimet e qeverive të drejtuara prej tij pas vitit 2005.

Krejt i ndryshëm nga muslimani Berisha, u shfaq në raport me grekët i krishteri Rama. Partia Socialiste e paditi zyrtarisht në Gjykatën Kushtetuese Marrëveshjen Detare, duke u bërë publikisht palë në një sfidë që ishte më së pari politike e diplomatike. Rama u ekspozua kështu ndaj Athinës, si një armik i deklaruar, duke prishur planet ekonomike greke për zonën detare të Jonit, të pasur me hidrokarbure.

Por nuk mbaroi me kaq. Pasi erdhi në pushtet në vitin 2013, qëndrimi i Ramës ndaj fqinjit jugor do të merrte gradualisht formën e një acarimi të pandërprerë dhe të përshkallëzuar, i cili do t’i çonte në pikën e tyre më të ulët marrëdhëniet me Greqinë pas rënies së komunizmit. Ndoshta edhe më të ulëta se në kohën e incidentit të Peshkëpisë në vitin 1994, pasi këtë rradhë qeveria e majtë kishte avancuar në tryeë disa teza që as Berisha në fillim të viteve ’90 nuk kishte guxuar t’i artikulonte.

Më e para nga këto teza kishte të bentë me futjen në programin e qeverisë së vitit 2013, të problemit çam. Një togëfjalësh ky që nuk kishin guxuar ta shqiptonin më parë në mënyrë sistematike dhe nga foltoret e shtetit, asnjëri prej drejtuesve më të lartë të vendit në 23 vitet e fundit. Fjalimet e përsëritura të Ramës, ministrit të jashtëm Bushati e të tjerëve në qeveri, ishin muzikë për veshët e aleatit të vogël të PS, partisë çame të Shpëtim Idrizit. Dhe kur Rama vendosi që Idrizi duhej të zgjidhej edhe zv.kryetar i parlamentit, zëvendëskryetari tjetër,”i kundërti” i tij, kreu i PBDNJ Vangjel Dule vendosi të japë dorëheqjen brenda pak minutash. Kjo rrokadë mes dy partish që shiheshin si armike mes tyre, pati efektin e një krisme në marrëdhëniet shqiptaro-greke. Ashtu siç shihej prej kohësh në Athinë si anormale dhe tejet negative, afërsia arrogante e PS me PDIU, e cila shpërfillte të gjitha sinoret dhe tabutë klasike të marrëdhënieve dypalëshe.

Në harkun kohor 2013-2017 Rama kreu një eksperiment tejet të rrezikshëm por edhe të guximëshëm diplomatik, me palën greke. Në këtë aspekt, Rama përfitoi nga fakti që Greqia po kalonte në këtë fazë krizën e saj më të thellë financiare të dekadave të fundit, por edhe kuptoi se qeveria e re Cipras kishte më pak ngarkesa nacionaliste dhe më pak komplekse ndaj axhendës klasike të politikës së jashtme greke ndaj Shqipërisë. Ky eksperiment konsistonte në testimin e vazhdueshëm të “pikës së shkrirjes” mes dy palëve, duke vijuar në zbatimin e një politike të gjesteve dhe deklaratave të forta, të cilat sfidonin thuajse gjithçka të shkruar në manualin e marrëdhënieve me Greqinë.

Me retorikën e fortë proçame, qëndrimet verbale ndaj minoritetit grek, shtyrjen në heshtje të negociatave për detin dhe varrezat, të cilat Athina i kërkonte në mënyrë të përsëritur – me gjithçka që i vinte në dorë, Rama përpiqej të krijonte një realitet të përmbysur në marrëdhëniet dypalëshe, duke arritur tek marrëveshja, përmes tensionimit. Duke riskuar jo pak, sidomos në suazën diplomatike europiane, aty ku Greqia kishte dhe ka jo pak në dorë në lidhje me Shqipërinë. Të paktën për të prishur punë.

Sot, kur Bushati dhe Kozias ngjasjnë si dy “shokë shkolle” dhe kur Janullatos është një shtetas shqiptar me pasaportën me shqiponjë dykrenare në xhep, duket sikur kjo stinë e gjatë tensionesh e fërkimesh është lënë pas shpine përfundimisht.

Por nëse i bindemi ligjësisë universale të epërsisë së më të madhit mbi të voglin, raportet Tiranë-Athinë vazhdojnë të mbeten një ushtrim shumë delikat për politikën e jashtme shqiptare. Shpesh qeveria Cipras ka deklaruar mes rreshtave se do ta ushtrojë votën europiane, kur të vijë momenti i hapjes së negociatave të Shqipërisë me BE, e kjo duhet marrë seriozisht. Nga ana tjetër, marrëveshja detare duhet rinegociuar, një proces që mbetet sfidues, aq më tepër kur pala greke qysh tani deklaron se ka fituar 12 milje detare. Pa harruar më pas problemin çam, i cili do të kërkojë një ndryshim sado të vogël qëndrimi nga ana e Athinës zyrtare. Teza e kolaboracionizmit të çamëve është po aq rrangalle dhe e konsumuar, sa edhe Ligji i luftës.

Deklaratat e fundit të ministrit të jashtëm grek për 12 miljet detare që shteti grek paska fituar në tryezën e bisedimeve, janë një keqkuptim të cilin mediat po e shumfishojnë pa u menduar gjatë se përse flitet. Ende pa nisur negociatat e komisioneve teknike dypalëshe, nuk mund të flitet as për shifra dhe as për detaje konkrete. Kotzias bllofon me një element që më shumë po keqpërdoret, sesa po interpretohet konkretisht.

Megjithatë, këto deklarata tregojnë sesa i komplikuar do të jetë edhe në të ardhmen procesi i bisedimeve shqiptaro-greke, në të cilat historia dhe rudimentet e saj, përzihen me çeshtje të freskëta dhe potencialisht me pasoja të rënda për të dy vendet. Nëse ligji i luftës do të shfuqizohet, cili do të jetë favori që pala greke do të kërkojë si këmbim? Zhvarrimet zor se mund të konsiderohen si të tilla, pasi ato janë vulosur tashmë nga marrëveshja e përpiluar në kohën e qeverisjeve Berisha. A do të jetë e ndershme dhe e barabartë kësaj rradhe Marrëveshja Detare? Po problemi çam a do të marrë ndonjë drejtim çfarëdo, apo do të mbetet një temë tabu, siç duan grekët?

Në një farë mënyre pala shqiptare e kishte më të lehtë të luante fort në katër vitet e shkuara, duke mbajtur distancën nga tryeza e bisdimeve me Cipras dhe qeverinë e tij. Tani që ka ardhur koha e rihapjes së letrave, duhen peshuar saktë forcat dhe duhet mprehur logjika, me qëllim që në përfundim të kësaj stine kompromisesh, të mos jemi vetëm ne që do të paguajmë faturën e kripur të darkës së shtruar.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU