Loja e bukur e serbëve është e hidhur për Kosovën

Nga Ben Andoni

Tani po kuptohet qartë zvarritja e bisedimeve Serbi-Kosovë në Bruksel dhe shumë nga deklaratat kundërthënëse të zyrtarëve të lartë të dy vendeve, por mbi të gjitha po përshfaqet frikshëm ndikimi i dy Fuqive të Mëdha, sa i përket të ardhmes së Kosovës. Ndërkohë që kjo e fundit tollovitej në konflikte absurde në parlament dhe në baltosje të gjithë faktorëve dhe strukturave të shtetit, e gjithë makineria politike-diplomatike serbe e ka kthyer disi vëmendjen nga të qenit humbësit e mëdhenj. Nëse do të kuptosh qëndrimin e palës serbe të duhet të lexosh e të kuptosh si duhet, thëniet publike të dy njerëzve kontrovers të Ekzekutivit të Brnabiç, respektivisht Ministrit të Jashtëm Ivica Daçiç dhe Ministrit të Mbrojtjes Vulin, që vazhdimisht janë shprehur për realitete ndryshe nga ato që fliste Brukseli dhe mbi të gjitha të ardhmen e republikave dhe ish-krahinave të ish-Federatës. Dhe, sot, ndërhyrjet e Serbisë janë në të gjithë rajonin, kurse paralelja e Kosovës me Republikën Srpska po e fut të gjithë rajonin në një problematikë, e cila mund ta risjellë paqartësi dhe tollovi në rajon.

Fatkeqësi e madhe është se nuk po respektohet rendi kushtetues ose më mirë të themi, zyrat e huaja, ku presidentët Vuçiç dhe Thaçi janë prezentë ‘nuk e kanë idenë’ se të bëhen manovrat që po parashtrojnë sot presidentët e Serbisë së Kosovës preket direkt kushtetuta, e cila përcakton qartë se ndalon çfarëdo copëtimi të territorit të Kosovës apo shkëmbimi të territorit të shtetit me ndonjë shtet tjetër. Gjithsesi zëri që ata përfaqësojnë e kalon rendin kushtetues. Dhe, kjo është arsyeja që ai dhe kolegu i tij Vuçiç flasin si misionarë, por asnjëherë si duhet për t’u kuptuar nga publiku.

Por Thaçi nuk ndalet ashtu si ka deklaruar në fund se “Po bashkangjitjes së Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, si tërësi me Kosovën. Po njohjes reciproke Kosovë – Serbi dhe anëtarësimit të Kosovës në OKB dhe organizata ndërkombëtare. Jo ndarje, jo shkëmbim territoresh. Të tjerat fake news”. Ndërsa ish-kolegu i tij Daçiç, me të cilin u prezantuan për Nobel, u shpreh i lumturuar se: “Ky është me të vërtetë një ndryshim dhe sukses historik dhe tani jemi sërish në fillim. Është një nga dëshmitë e prekshme se ne ishim në gjendje për të ndryshuar praktikisht pozicionin e betonizuar të vendeve Perëndimore për Kosovën. Kjo temë është diskutuar edhe më parë, por konsiderohej një çështje e mbyllur”. “Na ofrohet një mundësi historike për të marrë diçka për kombin dhe popullin tonë në veri të Kosovës. Nuk mund ta refuzojmë mundësinë, por më lejoni të them që ky është fillimi. Askush nuk na ofron mundësinë që Kosova të mbetet brenda kufijve të Serbisë”.

Po a janë të barabarta këto hapësira sa i përket resurseve dhe si do të rivitalizohen?! Kjo nuk ka përgjigje sepse më shqetësuese janë thëniet e këshilltarit të presidentit Trump, vendit që e ka njohur Kosovën me këto kufij: se do të miratonte çdo marrëveshje që arrihet mes dy vendeve. Po vallë si do të arrihet kjo marrëveshje kur në Kosovë dhe në vetë Serbi nuk e duan?! Këtë askush nuk e thotë sepse serbët deri më sot kanë luajtur bukur për t’ua lënë hidhësirën kosovarëve. Ku ta dish mbase dhe me dijeninë e aleatëve më të mëdhenj të pavarësisë së saj, që e lanë dialogun të precipitonte në këtë masë, që e fillon diskutimin e Ballkanit që nga fillimi. (Javanews)

 

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU