Lista paraprake e PD, Bregu, Selami e Noka në pozicion të pasigurt, ja emrat e rinj dhe të larguarit

Kreu i PD-së, Lulzim Basha ka mbi tryezë një listë të gjatë propozimesh të bazës së partisë për kandidatët për deputetë. Procesi u ndërpre për shkak të ngritjes së “çadrës së lirisë”. Emrat kishin mbërritur nga baza në qendër. Por, listës së parë do t’i bashkëgjitet një listë e dytë, që duhet të jetë gati brenda një jave, kohë kur PD-ja duhet të regjistrohet në KQZ dhe të nisë fushatën elektorale për zgjedhjet e 25 qershorit. Burime për ‘GSH’ konfirmojnë se në listë ka shumë emra të rinj surprizë, si vajza e liderit të dhjetorit, Azem Hajdari, Rudina Hajdari apo Jamarbër Malltezi, kreu i Departamentit për Turizmin në PD. Pjesa më e madhe e emrave hynë për herë të parë në Kuvend, nëse arrijnë të përzgjidhen nga kryesia e qendrës dhe Komisioni i Verifikimit dhe Kontrollit të Figurave në PD, që drejtohet nga doktor Halim Kosova në kuadër të dekriminalizimit. Por, në listë figurojnë edhe emrat e kundërshtarëve të Lulzim Bashës, si Majlinda Bregu, Astrit Patozi, Eduart Selami dhe Jozefina Topalli, të cilët janë propozuar nga baza e partisë. Procedura që u ndoq dhe do të ndiqet sipas udhëzimit të kryetarit të partisë është e tillë që kryesitë e degëve vendosin në bazë të propozimeve që vijnë nga grup-seksionet të gjithë kandidatët për të bërë fillimisht seleksionimin e parë në kryesinë e degës. Më pas kryesia e degës propozimet e saj ia përcjell kryesisë së madhe të partisë, e cila vendos përfundimisht për kandidatë që do garojnë për drejtimin e bashkive të vendit. Më herët kryetari i opozitës, Lulzim Basha, përmes një udhëzimi u ka kërkuar kryetarëve të degëve dhe anëtarësisë së PD-së të konsultohen me përfaqësues të botës akademike dhe përfaqësues të ish-të përndjekurve për propozimin e kandidaturave për deputetë. “Anëtarët e PD-së duhet të angazhohen në një dialog të hapur me mbështetësit dhe simpatizantët e Partisë Demokratike dhe komunitetin në tërësi, shoqërinë civile, botën akademike dhe studentore, sipërmarrjen, të përndjekurit politikë dhe pronarët, organizatat jofitimprurëse”, – thuhet në udhëzimin që kanë marrë drejtuesit e PD-së në rrethe. Në pikën e tretë të këtij udhëzimi, drejtuesit demokratë kanë përcaktuar edhe disa nga kriteret bazë që duhet të plotësojnë emrat që do të propozohen për deputetë në Partinë Demokratike. “Propozimet duhet të përfshijnë individë të spikatur nga të gjitha fushat e jetës, me integritet të lartë moral dhe shoqëror, me kontribute dhe arritje profesionale të njohura dhe që gëzojnë respekt në komunitetin vendës dhe më gjerë”, thuhet në udhëzimin e PD-së./GSH.al/a.m.

 

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU