Lind Ambla, fëmija i parë për 2016. Në Fier një çift humb jetën në aksident

Ambla quhet vajza që ka lindur në minutat e para pas hyrjes së vitit 2016. Mjekët bëjnë të ditur se ajo ka lindur në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë” në Tiranë. Vogëlushja ka lindur me një peshë normale prej 3 kg e 500 gram. Gjendja e fëmijës së porsalindur është e mirë, po ashtu edhe gjendja e nënës së saj. Prindërit shprehen të lumtur për ardhjen në jetë të vogëlushes, duke uruar njëherazi gjithë qytetarët që viti 2016 të jetë sa më i mirë dhe më të lumtur. Prindërit kanë vendosur që vajzën e tyre ta quajnë Ambla.

Fier

Ndërkohë një aksident i rëndë automobilistik i ka marrë jetën një çifti të ri në prag të ndërrimit të viteve në Vajkan të Fierit. Elton Pirraj dhe Suela Bakiaj, të cilët ishin fejuar para dy javësh, po udhëtonin me një automjet Tip Audi A6 në autostradën Lushnje-Fier. Si pasojë e shpejtësisë tej normave të lejuara, makina ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar rreth 50 m në një tokë bujqësore. Përplasja ka rezultuar fatale për 33-vjeçarin, i cili drejtonte automjetin dhe të fejuarën e tij 27-vjeçare, Suela Bakiaj. Në momentin e aksidentit dy të rinjtë po udhëtonin nga Lushnja në drejtim të Fierit. Në vendngjarje ka shkuar policia dhe ambulanca e spitalit rajonal të qytetit të Fierit, të cilët pasi kanë nxjerrë trupat e pajetë i kanë dërguar në morg. Ndërkohë policia po punon për zbardhjen e plotë të shkaqeve të aksidentit.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU