Projektligji i ri për falimentin është drejt votimit nga Kuvendi. Në kalendarin e punimeve të Kuvendit është përcaktuar seanca plenare e kësaj jave, me 15 shtator, për votimin e saj.
Projektligji i ri synon t’i japë zgjidhje problematikave të konstatuara me procesin e falimentit që ka rezultuar një proces i vështirë e i komplikuar. Por veç përmirësimeve proceduriale, nisma e re ligjore vjen si pjesë e projektit për uljen e nivelit të kredive me probleme.
Hartimi e miratimi i një ligji të ri për falimentin është rekomanduar si pjesë e planit të masave që duhet të ndërmerren nga pala shqiptare për zgjidhjen e kësaj problematike.
Pë këtë arsye votimi i projektligjit është parashikuar të bëhet së bashku me ndryshimet e tjera ligjore të Kodit Civil që kanë të njëjtin synim. Projektligji përmban më shumë se 300 nene dhe sjell një serë risish, që nga thjeshtimi i procedurave e deri të ristrukturimi për bizneset që nuk kanë aftësi paguese.
Projektligji parashikon gjithashtu mënyrën e funksionimit të gjykatave të falimentit dhe të agjencisë së mbikqyrjes së falimentit. Veç ndryshimit të procedurave, projektligji i ri për falimentin parashikon edhe sanksione të reja për kompanitë apo personat që bëjnë deklarime të rreme.
Çdo kërkesë për shpallje falimenti do t’i nënshtrohet hetimit
ndërsa për rastet kur konstatohen deklarime të rreme, në rastet kur nuk përbën vepër penale, penalitetet financiare të parashikuara variojnë nga 50 mijë deri në 200 mijë lekë./atsh/a.k