Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin, dhe shefi i Federatës së Federatës së Klubeve Evropiane dhe presidenti i Juventusit, Andrea Agnelli, kanë diskutuar prapa dyerve të mbyllura për një reformë të thellë në Ligën e Kampionëve, që do t’i tronditë tifozët e kësaj gare prestigjioze.
Sport Bild në Gjermani raporton se plani i tyre është ta ndërrojnë orarin e ndeshjeve në Ligën e Kampionëve duke e zhvendosur atë nga mesjava në fundjavë, transmeton Gazeta Express.
Zhvillimi i ndeshjeve në orare të mbrëmjes të shtunave dhe dielave tërheq shumë më shumë shikues në ekranet televizive nëpër botë sesa në orën 21:00 gjatë mesjavës. Dallimi në kohë po ashtu luan rol të rëndësishëm në tregun fitimprurës kinez, për shembull, sepse ndeshjet e Ligës së Kampionëve luhen në orën 4 të mëngjesit me kohën lokale në Kinë momentalisht.
Cfarë do të ndodhte sikur ndeshjet e Ligës së Kampionëve të zhvilloheshin në fundjavë?
Ligat shtetërore do të luheshin më shpesh gjatë javës. Agnelli madje ka një zgjidhje në dorë: reduktimin e ligave shtetërore! Sport Bild thotë se Bundesliga është në dijeni për këtë dhe e kundërshton rreptësishtë planin, transmeton Express.
Agnelli, po ashtu, dëshiron më shumë ndeshje të Ligës së Kampionëve. Plani i tij duket kështu: 32 klube pjesëmarrëse, të jenë katër grupe në vend të tetë grupeve, pra katër grupe me nga tetë skuadra secila në fazën grupore.Kjo i jep përparësi klubeve të mëdha. Në vend të gjashtë ndeshjeve, ato do t’i luanin 14 sosh, që i bie se do të arkëtonin shumë më shumë para nga UEFA dhe të drejtat televizive, përgatiti ”Gazeta Express”. (b.an)