LIBRA – optimizmi që vrau shpresën

Nga Ilir Yzeiri

Sot edhe Ben Blushi, ideatori, krijuesi dhe frymëzuesi i partisë « LIBRA » dha dorëheqjen dhe, siç shkruante edhe ai vetë, do të largohet përkohësisht nga politika. Kohë më parë edhe bashkëthemeluesja e « LIBRA »-s, Mimoza Hafizi, u largua prej kësaj partie.

Nuk është e vështirë të gjesh arsyet e dështimit të këtij projekti sot, ashtu siç nuk është e lehtë, nga ana tjetër, që të shpjegosh se përse shqiptarët nuk arrijnë të realizojnë një projekt tjetër politik jashtë dy projekteve të vjetra që mbahen me elitat e borgjezisë komuniste dhe që usheqehen nga fryma e vjetër e klientelizmit, korrupsionit dhe e lidhjeve të errëta me botën e krimit. Ashtu si Blushi edhe Bojaxhiu dështoi dhe shpresat se forca të reja politike mund ta korrigjojnë hapësirën publike shqiptare, të paktën për momentin, janë fare të pakta.

***

Blushi është një politikan i spikatur dhe një shkrimtar i dalluar. Për mendimin tim ai është më i talentuari i shkrimtarëve që nisën të shfaqen pas viteve ’90. Është publicist i dorës së parë në vend dhe përsa kohë që ishte deputet, do të mbahet mend si oratori më i kualifikuar atij mediumi.

Mirëpo të gjitha këto, mesa duket nuk mjaftonin që ai të krijonte një frymë që do të drejtohej nga idetë e tij, nuk mjaftonin që ai të ndërtonte një formacion politik që, të paktën, të ishte faktor për të mos lejuar arrogancën e PS-së që të triumfonte e vetme. Mund të ketë me dhjetëra arsye përse « LIBRA » në zgjedhjet e fundit nuk arriti të ndërtonte të paktën një mandat. Nuk kam të drejtë të hedh poshtë pretendimet e Blushit për atë që ndodhi, sipas tij, në votimet e fundit, por mua më duket se projektin e tij dhe të Gjergj Bojaxhiut e masakroi Lulëzim Basha me çadrën e tij.

Pikërisht në momentin kur Blushi dhe « LIBRA » po rriteshin me shpejtësi dhe po projektoheshin si një forcë politike që ndërtohej mbi rininë dhe të zhgënjyerit nga qeverisja klienteliste e LSI-PS-së, Lulëzim Basha u ngul në Bulevardin e Madh dhe nisi ligjëratat e neveritshme mbi Edi Ramën. Në këtë skenë që i ngjante teatrit metropolitan të Tiranës, merrnin pjesë si spektatorë të gjithë të zemëruarit dhe ata që donin ta « hanin të gjallë » Edi Ramën ndër të cilët spikaste sidomos Sonila Meço e të tjerë si ajo. U krijua përshtypja sikur Edi rama do të shpartallohej me fjalime dhe recitime në çadër. Mirëpo kjo, nga njëra anë, forcoi trupin militant të PD-së dhe largoi të moderuarit, nga ana tjetër, e kompaktësoi PS-në dhe mbështetësit e saj.

Po ashtu edhe një pjesë e madhe e të pavendosurve, përballë ligjërimit skandaloz të Bashës në çadër, u reshtuan me Edi Ramën. E kam shkruar dhe në atë kohë dhe po e përsërit edhe tani, pikërisht në këtë moment « LIBRA », sipas mendimit tim, gaboi. Ajo u përpoq të përfitonte nga « diskreditimi » që po i bëhej Ramës dhe, duke menduar se kështu do të vinte fundi i PS-së, u reshtua moralisht me Lulëzim Bashën.

Pikërisht në këtë moment Blushi gaboi. Për mendimin tim « LIBRA » duhet të ishte vendosur në qendër dhe nuk kishte asnjë arsye që ajo të braktiste elektoratin e majtë. Ajo duhet të kishte dhënë sinjale të qarta se ajo lloj opozite që bënte Basha në çadër nuk kishte të bënte me filozofinë e « LIBRA »-s. Për habinë e të gjithëve, sidomos të atyre që e shihnin « LIBRA »-n si një formacion inteligjent të qendrës, kjo parti, në vend që ta denonconte opozitën e Bashës që po shkatërronte opozitarizmin në Shqipëri siç edhe po e shkatërron, u fsheh pas saj dhe humbi vrullin me të cilin pati nisur zgjerimi i saj.

***

Sot është vonë për të bërë analiza për « LIBRA »-n, sepse ajo forcë politike ashtu siç nisi nuk ekziston më. Ishte, siç e kam thënë edhe në titull të shkrimit, një shpresë që vrau optimizmin. Të paktën tani për tani, të gjithë po bindemi në heshtje se opozitarizmi po vdes në këtë vend, se dyshja Basha-Kryemadhi janë varrmihësit e fundit të shpresës për të ndërruar elitat politike në këtë vend.

Largimi edhe i Blushit nga skena politike është një ogur i keq dhe një paralajmërim se skena politike shqiptare po shkon drejt unitarizmit liberal. Ndoshta jam i gabuar, por nuk mund të shpjegohet ndryshe kjo që po ndodh në Shqipëri përveçse me sistemin liberal të fjalës së lirë dhe me qeverisje që do të vazhdojë për një kohë të gjatë të diktohet nga PS-ja.

Opozita e sotme dhe sidomos Lulëzim Basha me Monika Kryemadhin do të mbahen mend si oligarkët e fundit të atyre që u ngjitën në skenën politike me skandale korrupsioni galopant, do të mbahen mend si politikanët që u futën nëpër partitë e mëdha të PS-së dhe PD-së si rioshë me të ardhura studentësh dhe dolën që andej si milionerë, që nga apartamentet e kohës së socializmit u gdhinë në vila përrallore. Këta të dy në krye të opozitës shqiptare janë mjerimi më i madh mendor, intelektual dhe kulturor që ka pasur Shqipëria ndonjëherë. Ndaj largimi edhe si orator në Parlamentin e Shqipërisë i Ben Blushit është një lajm i keq.

(TemA)

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU