LETRA/ Kur ish-të përndjekurit akuzonin Besim Ndregjonin si agjent

Disa vite më parë, Besim Ndregjoni, i njohur si kryetar i Shoqatës së ish-të Përndjekurve Politikë u dekorua nga Presidenti i Republikës. Dekorimi i tij u bë në vitin 2012 por nuk u prit mirë nga të gjithë ish-të përndjekurit. Disa anëtarë të Shoqatës reaguabn përmes një letre ku akuzonin Ndregjonin si agjent të sigurimit të shtetit, duke zbuluar edhe pseudonimin e tij. Referuar letrës, ata e identifikojnë Ndregjonin me pseudonimin “Çizmja”.

Më poshtë letra:

Ne, Kryesia e Shoqatës së Ish të Përndjekurve Antikomunistë të Shqipërisë jemi shumë të indinjuar dhe kundërshtojmë me forcë dekorimin e Besim Ndregjonit nga Presidenti i Republikës në 27 janar 2012, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Kujtesës së viktimave të Holokaustit, me Urdhrin “Mjeshtër i Madh” dhe me motivacionin: “Për kontribut të rëndësishëm si aktivist i mbrojtjes së të drejtave të njeriut, veçanërisht për integrimin dhe mbështetjen e shtresës së të përndjekurve politikë; për veprimtari të çmuar në evidentimin dhe demaskimin e krimeve të regjimit komunist.“Por, Besim Ndregjoni është mjeshtër i madh për mashtrime e falsifikime.

Opinioni duhet të dijë se kush është Besim Ndregjoni i vërtetë dhe sa ka të drejtë ai, të jetë përfaqësuesi i të persekutuarve. Besimi është ish-kryetari i Bashkimeve Profesionale tëe Hidrocentralit të Komanit, është ish-agjent i Sigurimit të shtetit me pseudonimin “Çizmja”, është poeti proletar i dalë nga klasa punëtore që i bëri poezi e vjersha Enver Hoxhës e partisë së Punës në vitet 1970-80. Sot e kësaj dite Besim Ndregjoni nuk ka marrë dot asnjë vërtetim nga arkivat e shtetit si i persekutuar politik për ndonjë pjestar të familjes Ndregjoni. Citimi i dokumentave të mëposhtme të nxjerra nga arkivat hedhin dritë mbi biografinë e tij. Dokumenti që po përmendim është lëshuar nga sektori Arkivit të Ministrisë së Rendit Publik, me Nr. Prot. 102/1, datë 04/07/2003 dhe vijon si më poshtë: Ju njoftojmë se në materialet tona arkivore nuk dokumentohet dënimi i personit në lëndë dhe as me njërin prej emrave të paraqitur prej jush si: Imer Brahim Ndregjoni, Imer Ibrahim Ibrahimi dhe Ymer Brahim Brahimi. Por ekziston një dokument gjykate ku tregohet se babai i tij Imer Ibrahim Ndregjoni është dënuar nga gjykata e Peshkopisë në dt. 4.11. 1960 për kanosje për vrasje dhe armëmbajtje pa leje, me 2 vjet heqje lirie. Në dt. 6.11.1961 i falet mbetja e dënimit. Edhe ky fakt shton dyshimet për ndonjë pranim të bashkëpunimit me sigurimin e shtetit. Sot babai i tij Imer Ndregjoni, ish i dënuar për krime ordinere është Hero i Demokracisë dhe Qytetar Nderi i Peshkopisë, vetëm falë manipulimeve me dokumentacionet që ka bërë me shumë mjeshtëri Besim Ndregjoni. Në 16 nëntor 2009 ai përkujton tek “Sheratoni” martirët e vrarë nga komunistët në masakrën e Tiranës në 28 tetor- 16 nëntor 1944 duke ftuar kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Ramën në aktivitet. Akoma më tej, Besim Ndregjoni përdhosi dhe u tall me vuajtjet e të gjithë ish të përndjekurve politikë të Shqipërisë duke vendosur kandidaturën për Avokatin e Popullit pranë Partisë Socialiste. Deputetja socialiste Eglantina Gjermeni në emër të Komisionit Përzgjedhës për Avokatin e Popullit është shprehur: “Zoti Ndregjoni dëshironte të konkurronte, dhe këtë ma shprehu drejtpërdrejt”. Pse u zgjodh dita e Holokaustit për të dekoruar Besim Ndregjonin? Sepse ai ka luajtur e mashtruar edhe me kartën e strehimit të çifutëve në Shqipëri. Pretendon se familja e tij ka strehuar e mbrojtur çifutë. Por e vërteta dëshmohet nga Z. Apollon Zenuni, një ish i burgosur politik i Spaçit, djali i një zonje çifute me emrin Berta dhe i tiranasit Ismail Zenuni. Besimi shfrytëzon e përvetëson çdo ngjarje të dhimbshme përkujtimore që lidhet me persekutimin komunist për të bërë daljen e vet publike, rrëmben mikrofonin dhe flet në emër të familjarëve e viktimave dhe evidenton veten si figurë e parë në radhët e të persekutuarve. Ai futet në mes të persekutuarve si një prej tyre, por në fakt ai nuk ka asgjë të përbashkët me këta njerëz fisnikë e të vuajtur. Besimi abuzon, nxjerr përfitime dhe ndërton karrierën e tij duke përdorur kauzën e tyre. Pak kohë më parë përfaqësues nga 5 shoqata të Ish Persekutuarve Politikë të Shqipërisë kanë denoncuar publikisht Besim Ndregjonin nëpërmjet një deklarate të përbashkët që po e citojmë më poshtë: Ne, shoqatat e ish të dënuarve dhe të përndjekurve politike duke parë se organet e prokurorisë nuk po veprojnë mbi dosjen me dokumente fallco, të paraqitur herë pas here për falsifikatorin Besim Ndregjoni dhe ai vazhdon të paraqitet në institucione dhe media si “sekretar” dhe përfaqësues i shtresës të përndjekurve politikë, bëjmë këtë denoncim publik: Besim Imer Ndregjoni nuk ka qenë asnjë ditë i përndjekur politik, por me një dëshmi fallco arriti të bëjë një sërë falsifikime të tjera, me të cilat mashtron institucione e personalitete deri tek më i larti i shtetit: Presidenca e Presidenti. Denoncojmë edhe prokurorinë, e cila prej kaq kohësh ka në institucionin e saj një dosje plot me dokumente falco, me të cilët ka përfituar si i “përndjekur” por në mënyrë të paligjshme apartamente, vlera monetare, e sidomos i janë dhënë dekorime e emërtim rruge, babait të tij Imer Ibrahim Ndregjoni, pa asnjë meritë politike, ushtarake, kulturore ose civile!! Prokuroria hesht!!! Ky falsifikator, në regjimin komunist ka qenë me detyra të rëndësishme, deri kryetar i Bashkimeve Profesionale në Hidrocentralin “ Drita e Partisë” Fierzë- Koman me dhjetë mijë punëtorë e kuadro, ku ka ushtruar luftën e klasave. Besim Ndregjoni ka gjetur mbështetje krejtësisht të paligjshme e të pamoralshme nga fondacioni “Qendra Shqiptare për Rehabilitimin e Traumës dhe Torturës”, për vetë funksionin e kësaj qendre. Me këtë denoncim publik bëjmë me dije të gjitha institucionet shtetërore, shoqatat jo qeveritare, ambasadat e huaja në Tiranë, organizatat ndërkombëtare, mediat elektronike e të shkruara, gjithë opinionin e brendshëm se i vetëshpalluri “Sekretar” i përgjithshëm i të përndjekurve politikë, Besim Ndregjoni i vërtetë është ky që paraqitëm ne në këtë deklaratë.

Kryesia e Shoqatës së Ish të Përndjekurve Antikomunistë të Shqipërisë
Fatmir Lame
Gjergj Ndreca
Perikli Shqevi
Ish të burgosur Politikë të Spaçit

 

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU