Letra e Haxhinastos për KPP/ Ish-ministri kundër ndryshimit të fituesit për Rrugën e Kombit

Një tjetër shkresë hedh dyshime lidhur me procedurën e tenderit për koncesionin e Rrugës së Kombit. “Panorama” botoi një ditë më parë shkresën zyrtare të IFC, konsulentit zyrtar të qeverisë dhe Ministrisë së Transporteve, lidhur me procedurën e tenderimit për dhënien me koncesion të Rrugës së Kombit.

Kjo shkresë, i rekomandonte Komisionit të Tenderit në Ministrinë e Transporteve të zgjidhte si fitues konsorciumin “Vendeka” dhe të skualifikonte ofertën e konsorciumit “Catalyst”.

Komisioni i Ministrisë e zbatoi rekomandimin e IFC dhe shpalli fitues “Vendeka” dhe skualifikoi “Catalyst”. Konsorciumi “Catalyst” u ankua në Komisionin e Prokurimit Publik, një institucion ku palët që nuk janë dakord me vendimet e komisioneve të tenderëve ankohen. Komisioni i Prokurimit Publik, pasi mori në shqyrtim ankesën e firmës, vendosi të ndryshojë totalisht vendimin e Ministrisë së Transporteve.

Komisioni vendosi me datë 26 gusht të kundërtën, pra shpalli fitues “Catalyst” dhe skualifikoi “Vendeka”. Deri këtu duket e gjitha një procedurë normale. Komisioni i Prokurimit Publik është si Gjykata e Apelit, por për tenderët. Pra, ka të gjithë të drejtën të anulojë tenderin apo të ndryshojë fituesit, sipas argumentimeve të veta.

Por një dokument i firmosur nga ministri Haxhinasto i datës tregon se komisioni nuk i ka pasur të gjithë dokumentet e duhura për të marrë një vendim. Të paktën sipas pretendimit të ish-ministrit të Transporteve.

Letra e ministrit Haxhinasto për Komisionin e Prokurimit Publik
Letra e ministrit Haxhinasto për Komisionin
e Prokurimit Publik

Në shkresën që mban datën 9 shtator, Ministria e Transporteve ankohet pranë Komisionit dhe kërkon rishikimin e vendimit të këtij të fundit që ndërroi fituesit. Mes disa argumenteve të listuara në shkresë, lidhur me afatin e ankimin apo interpretime të ndryshme ligjore se sa ditë është ky afat, bie në sy paragrafi i fundit që lidhet pikërisht me ndryshimin e fituesve.

Letra e IFC ku rekomandohet fituesi i koncensionit të rrugës
Letra e IFC ku rekomandohet fituesi i
koncensionit të rrugës

JA ÇFARË THOTË DOKUMENTI

“Për sa i përket vendimit të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave për procedurën konkurruese për dhënien me koncesion/PPP të ndërtimit, operimit, mirëmbajtjes dhe rehabilitimit të autostradës Milot-Morinë siç ju është bërë me dije edhe nga aktet e dërguara nga ana jonë, kjo vendimmarrje është bazuar në rekomandimet e konsulentit financiar IFC.

Ju nuk keni pasur mundësi të njiheni me këto rekomandime, pasi jua kemi sjellë më datë 29.08.2016, ndërkohë që ju e kishit marrë vendimin më datë 26.08.2016, prandaj po jua dërgojmë bashkëlidhur me këtë shkresë, Rekomandimin e IFC, datë 18.07.2016, i cili ka shërbyer si gur themeli në marrjen e këtij vendimi”.

Pra, qartësisht, Haxhinasto pretendon se vendimi i KPP është marrë në mungesë informacioni. Dhe jo një informacion i dorës së dytë, por një informacion mbi të cilin është marrë vendimi i ministrisë për shpalljen e fituesit.

Ky informacion është hartuar nga IFC, e cila është kontraktuar nga Ministria pikërisht për këtë qëllim, që të rekomandojë se cili duhet të jetë fituesi./Panorama/a.m.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU