“Letërsia e Diasporës dhe mungesa e një historie të plotë letërsie?

Nga Ben Andoni

Është e papërfytyrueshme nga njerëzit e zakonshëm por edhe nga njerëzit e thjeshtë të letrave apo lexuesit, urrejtja që ndajnë mesveti, anëtarët e komunitetit letrar shqiptar. Në dukje, i rrahin krahët njëri-tjetrit, por nga pas përcjellin shpesh një urrejtje patologjike, fillimisht për individin dhe pastaj për vlerën e veprës së përfolur. Sikur të mos mjaftojë kjo, politika e çmimeve dhe vlerësimeve letrare është kaq e cekët dhe e paprincip, saqë ka bërë që sistemi i vlerave të mos ekzistojë më, qoftë në Shqipëri por edhe në Kosovë. Nuk ka çmim letrar që të mos përflitet dhe të anatemohet.

Me këtë shpjegohet hë për hë edhe një nga mungesat e aftësisë për të realizuar një botim të plotë akademik për Historinë e Letërsisë Shqiptare, e cila dominohet nga prodhimtaria e dy qendrave kulturore, Tirana dhe Prishtina por që i shtohet edhe ajo e diasporës.  Kjo e fundit e pati ngritjen pas viteve ’50, kur mundi të organizohej me krijimin e revistës kulturore Shéjzat.

Në fakt një detyrë kaq e vështirë nuk mund të bëhet nga një grup i pakët studiuesish, por nevojit bashkëpunimin dhe hartimin e kujdesshëm të strukturës së saj. Fillimisht duke njohur statuset dhe gjendjet e qendrave, për të hedhur dritë edhe mbi sistemet dhe nënsistemet. Një të tillë punë ka ofruar studiuesi Leka Ndoja duke vendosur një gur të mirë themeli, për ata që do të studiojnë më vonë.

“Letërsia e diasporës dalë në dhé të huaj në këtë gjeneratë duke bartur kapitalin etik me vete është e paorganizuar aqsa për të krijuar një nënsistem. Kushti kryesor i nënsistemit është prodhimi dhe revista qendër, e cila mungon prej kohës së Pipës (Albanica, 1992). Sot në diasporën shqiptare  e vetmja revistë është Haemus {e autorit A. Kyçyku} e kolonisë së Bukureshtit, ndërsa gazetat e traditës Dielli, Ilyria janë mbyllur prej vitesh. Autorë të tjerë të diasporës si Gëzim Hajdari e Ornela Vorbsi janë bërë pjesë e polisistemit botëror përmes gjuhës mundëse italishtes. Veprimtaria e tyre është ndërkulturore.

Sistemi ynë letrar kombëtar përbëhet nga dy qendra kulturore: Tiranë-Prishtinë. Ky sistem kombëtar i ka të dyfishta institucionet e prodhimit, vëllimit, qendrës sistemore, kritikës, çmimet, institucionet arsimore e akademike, botimet, receptuesit (lexuesit) dhe një kanal të vetëm gjuhësor, prandaj sistemi kombëtar letrar është i pashkëputshëm. Kjo nuk do të thotë që s’ka forca centripete që me subjektet e tyre apo institucionet do të kërkojnë të shtyhen {largohen} nga qendra primat për të ruajtur identitetin. Figurativisht sistemi ynë letrar kombëtar përbëhet nga vëllezërit Dioskurë të mitologjisë: Kastori dhe Poluksi (Polideuku) që në jetë dhe derisa u ngritën në qiej ndriçojnë bashkë”, shpjegon studiuesi Leka Ndoja.

Nuk është se përbën një punë të paarritshme, por nuk duket se është asfare e lehtë. Fakt për këtë është hartimi i fundit i Enciklopedisë shqiptare, që megjithë kontributin e saj, nuk përmbushi dot besueshmërinë e publikut për prezantimin në kushtet e sotme të niveleve të ndryshme ekonomiko-politiko-kulturore- shoqërore kombëtare.

Gjithsesi, interesant është shikimi i dy qendrave kulturore kombëtare dhe letërsisë së diasporës. Kjo e fundit, siç shprehet Leka Ndoja në studimin e tij të fundit “Letërsia shqiptare e Diasporës”, ka qenë një alter ego e letërsisë së Tiranës, është parë si objekt shqyrtimi për konceptet e saj etiko-estetike si vijueshmëri e traditës së letërsisë kombëtare të ndërprerë në vitet ’40 në qendër, por edhe si objekt noviteti në format e saj moderne dhe sidomos për kritikën e saj ndaj qendrës kombëtare letrare bazuar në sistemin e vlerave.

“Nëse letërsia e realizmit socialist ushtronte presion mbi shkrimtarët, që të trajtonin “temën e luftës antifashiste N.Ç.” deri në vitin 1965, dhe më pas “temën e ndërtimit të socializmit” letërsia e diasporës i qëndroi besnik emërtesës së saj duke trajtuar temën sociologjike të diasporës politike shqiptare në SHBA tek romani Shija e bukës së mbrume të Koliqit, dhe temën e rikthimit të mërgimtarit intelektual në Atdhe tek drama Rrajët lëvizin, duke kapërcyer kohën e zhvillimit të ngjarjeve, në një profeci kabalistike të realizuar përmes syve të vajzës së fantomës së shkrimtarit Pjerin Sinadinit, Izës. Vëllimet poetike Libri i burgut dhe Autobiography të Arshi Pipës kanë dallueshmëri atipike ndaj qendrës letrare, bashkë me poezinë e Camajt që përpunon një model poetik nisur nga hermetizmi përthyer me një trishtim ovidian, të një ishulli mistik. Kjo analogji e ndëshkimit prometean e riformoi poezinë që kishte rënë në butaforizëm”, shpjegon Leka Ndoja.

leka-ndoja

Me pak fjalë, letërsia shqiptare, falë dhe shikimeve të reja ka ardhur koha t’i jepet një strukturë përshkrimi më e plotë më e thelluar, por duke parë dhe pikat e takimit dhe kuptohet dhe ndarjen. Një punë në dukje titanike, por që ka nevojë të marrë jetë, qoftë edhe me një angazhim serioz, larg përpjekjes për idealizime dhe krijimin e sistemeve kallpe të vlerave, që po e asfiksojnë letërsinë shqiptare. Të paktën, me këtë libër, e kemi një fillesë bash të mirë…

letersia e diaspores

Skeda

Titulli: Letërsia shqiptare e diasporës

Autor :Leka Ndoja

Gjinia: Studim teorik letrar

Botues:Pakti

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU