Legjenda e pianistit

Nga Ben Andoni

Nëse nuk do të ishte film, pakkujt në Shqipëri do t’i kishte rënë në sy ky libret i vockël me vetëm 60 faqe, që është botuar pak kohë më parë nga Shtëpia Botuese “Koçi”. Por ja që “Legjenda e pianistit” është botuar dhe ky fakt e bën më të këndshme për njerëzit e librit të shijojnë mrekullinë e shkrimit të një rrëfimi të Baricco-s. Është nisur për pjesë teatrale, por si ndodh me disa autorë që kanë në kokë në të njëjtën kohë disa gjëra, ajo ka qëndruar si rrëfenjë, por logjika e gjinisë është gati si monodramë. Të merremi vesh: Nuk është fare si zgjidhja e filmit, që megjithatë është e përkryer por në këtë formë, që ka ardhur në letra, është e jashtëzakonshme…

Vetë autori Baricco na jep shpjegimin e tij sepse e realizoi këtë pjesë. E bëra thotë për një aktor Euxhenio Alegron dhe për një regjisor Gabriele Vaçisin, që në të vërtetë e ndërtuan si pjesë teatrale dhe madje e vunë edhe në skenë (Do ishte mrekulli të dinim sesi e kanë vënë në skenë). Por autori mbeti sërish i paqetë dhe me një dilemë dhe atij i është dukur krejt: si një pjesë që do të deklamojë. Vetë duket pak si i ngatërruar në atë që shkruan por si shkrimtar është i mençëm që gjithnjë të sajojë diçka të pëlqyeshme të justifikojë veten dhe pjellën e vet.

Historia gati dihet. I kushtohet një fëmije që gjendet në një transoqeanike, ku në një periudhë që përkon me kohën e dy luftrave, kohë e eksodit të madh drejt SHBA-së që përcjell çdo njeri, që do të provojë fatin, drejt vendit të mundësive. Në legjendën që ka ngritur autori kemi një njeri virtuoz që luan në piano dhe që e ka mësuar interpretimin atje. Kush e ka mësuar, cili është fati i tij asnjëherë s’kuptohen, por legjenda që është e kthyer gati në përrallë të mban pezull dhe përcjellja e një rrëfimi, që nuk ka një vijë lineare, të bën për vete. Rrëfimi është i treguar nga një muzikant që e ka njohur dhe që tashmë e ka lënë anijen dhe personazhin kryesor, që asnjëherë nuk zbriti nga anija. E mrekullueshme në të gjithë rrëfimin është fakti se narracioni tregohet gati si për personazhe mitikë. Por i tillë është pianisti i anijes dhe fama e tij i ka kaluar kontinentet. Auditori i tij janë gjithnjë të ndryshëm dhe njerëz që kapin pas udhëtimit hapësira pafund. Ata përcjellin legjendën e njeriut që sfidon dhe kjo legjendë e tij bën që një ditë një nga më të mëdhenjtë e bluzit amerikan, të ngjitet ta sfidojë live. Këtu është pika kulmore e rrëfimit dhe certifikimi i mitit.

Për kritikën mund të ketë nyje që mund ta prekin autorin dhe të tregojnë se ku është shmangur Barrico përmes shtjellës së linjës ide, por në fakt autori ka dashur të përcjellë një legjendë urbane të krijuar nga ai vetë, që besojmë se mund të ketë një bazë reale.

Rrëfimi është i ndërtuar në mënyrë të tillë që lëshohet e gjithë historia nga goja e një personazhi të vetëm. Fjalitë e ngushta dhe të shkurtra i japin dramaticitet dhe më shumë se çdo gjë tjetër aksion të gjithë vëllimit. Ka pak nota deklamative po kjo luan rolin e mahnitjes, e cila para përrallës kalon çdo gjë. Po çfarë mrekullie në vetvete e gjitha kjo?

 “Tani mendo pak: një pianofore. Tastet fillojnë. Tastet mbarojnë. Ti e di që ato janë 88, këtu nuk ta hedh dot askush. Ata nuk janë të pafund, aspak. Ti je e pafund, dhe brenda këtyre tasteve e pafundme është muzika që t’i mund të bësh. Ato janë 88. Ti je e pafund. Kjo më pëlqen. Me këtë mund të jetosh. Por nëse ti.
Por nëse unë zbres nga këto shkallë. Dhe përpara meje shpaloset një tastierë me miliona taste, milona a miliardë. Milionë e miliardë taste, që nuk mbrojnë kurrë dhe kjo tastierë është e pafundme…”

Rrëfimi i brendshëm është i mrekullueshëm dhe mund të përfshijë një punë të jashtëzakonshme që vetëm një mjeshtër si Baricco mund ta përcjellë. Libri është një mrekulli dhe të kënaq në të gjithë shtjellën e vet. Duket mungesa e gjinisë, por kjo e lehtëson se autori i është bindur instiktit.

Grafikisht libri është punuar shumë keq dhe shtëpia botuese se ka arritur cilësinë, kurse përkthimi i Afrimit duket i mirë dhe ka ngjyresat e duhura. Është nga italishtja apo gjermanishtja, këtë nuk e dimë? Dimë që e kemi në shqip dhe që të shërben më së miri të shikosh se ku ka arritur krijimi sot…Mbi të gjitha, kjo pjesëz të mëson të shkruash dhe është edhe si një leksion i vogël për ata që duan të shkruajnë. Është vërtetë mrekulli.

 

1 koment

  1. Perkthimi i Afrim Kocit eshte shume i mire. Fatkeqesia e ketij libri eshte qe te gjtihe e kemi lexuar pasi kemi pare filmin me regji te Tornatores.

PËRGJIGJU