Legalizimet, Lame: Mbarojnë brenda mandatit

Legalizimi i banesave është kthyer në një sfidë për të gjithë shqiptarët që kanë ndërtuar pa leje dhe tashmë kërkojnë të regjistrojnë shtëpitë e tyre e të kthehen në formalitet.

Përgjatë 10 viteve janë legalizuar rreth 60 mijë shtëpi, ndërsa janë në proçes edhe 290 mijë të tjera.

Kreu i Aluiznit, Artan Lame, deklaron se tashmë legalizimet kanë marrë një zgjidhje konkrete.

“Është qartazi e dukshme që nuk është më problem politik, është problem i cili është zgjidhur, ka marrë një rrugëzgjidhje përmes një procesi filklimisht politik që ishin zgjedhjet dhe tashmë ka marrë udhë dhe vazhdon qetësisht”, thotë Lame për Ora News.

Kryetari i Aluiznit deklaron se tashmë sfidë më vete mbetet urbanizimi i këtyre zonave, pasi ndërtimet kanë qenë pa asnjë planifikim dhe shpesh herë nuk ka as rrugë për të kaluar.

Për të zgjidhur këtë paraprakisht bëhet një vlerësim dhe një plan urbanizimi paraprak për rrugët, ujësjellësat dhe kanalizimet e më pas nis proçesi i legalizimit.

Kryetari i Aluiznit deklaron se gjithmonë do të ketë nga ata që do të ndërtojnë në kundërshtim me ligjin, por i qëndron premtimit kryesor të dhënë nga qeveria Rama se procesi do të përmbyllet brenda këtij mandati.

“Të gjitha këto rrjete duhen kthyer në rrjete të qëndrueshme. Kjo është sfida e madhe e të ardhmes. Proçesi i legalizimeve nuk ka për t’u mbyllur ndonjëherë në Shqipëri. Shqiptarët kanë 100 vjet që ndërtojnë pa leje dhe nuk ka asnjë arsye që për 100 vitet e ardhshme të mos ndërtojnë pa leje. Problemi është që shteti shqiptar të jetë në në gjendje të kontrollojë në një masë të caktuar territorin.Sot ndërtohet shumë më pak se në 2013-n. Brenda këtij mandati mbyllja e proçesit të legalizmit në zonat e mëdha informale”, shton ai.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU