Legalizimet, Artan Lame: Frenuam dalldinë e ndërtimeve pa leje

Emigrantët janë përparësi e punës së ALUIZNI-t gjatë sezonit të verës. Artan Lame deklaroi në studion e lajmeve të Ora News se atyre u janë krijuar të gjitha lehtësirat e mundshme në proçesin e legalizimit. Kreu i ALUIZNI-t ka ndërhyrë edhe në përplasjen e Partisë Demokratike me IKMT në lidhje me shtesën e një kati në një pallat për të cilin akuzon deputetin Sadri Abazi. Lame tha se vendimet e publikuara edhe nga PD tregojnë se nuk bëhet fjalë për ndërtim të ri, por për një objekt që ka përfituar nga ligji i legalizimit si mijëra të tjerë të ngjashëm në të gjithë vendin.

Vera mbetet një sezon i ngarkuar për Agjensinë e Legalizimit Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave dhe Ndërtimeve Informale. Drejtori Artan Lame deklaroi në studion e lajmeve të Ora News se në këtë kohë përparësi u është dhënë emigrantëve

Lame: Në shumicën e Drejtorive ka sportele të veçanta për emigrantët. Aty ku nuk është më e mundur për sportele, është t’u jepet precedencë kur paraqiten para sporteleve tona.
Lame ka ndërhyrë edhe në debatin mes Partisë Demokratike dhe IKMT-së në lidhje me shtesën e një kati në një pallat në Tiranë, për të cilën selia blu sulmon deputetin socialist Sadri Abazi dhe pretendon për abuzime.

Si titullar i një prej institucioneve të rëndësishme të shtetit, Lame deklaroi se shtesa nuk është një ndërtim i ri dhe ka përfituar nga ligji i legalizimeve si shumë objekte të tjera të ngjashme.

Lame: Që në kohën e Lul Bashës e ka penalizuar për atë kat pa leje, kati nuk u bë tani, është bërë në kohën kur Lul Basha ka qenë kryetar Bashkie. Të tilla objekte, nuk dua ta ekzagjeroj të them me mijëra, por me qindra pa diskutim në gjithë Republikën. Ndërtime pa leje të asaj periudhës së dalldisur që thashë, të cilat kanë hyrë në proçes dhe ka vendim o prishje, o pezullim punimesh. Në momentin që pas kësaj dalldie doli ligji i legalizimeve, pra shteti tha njëherë stop dhe u arrit të vendosej kontrolli në territor dhe pas kësaj doli ligji i legalizimeve që i përfshiu brenda vetes këto ndërtime, atëherë këtu ku është shkelja?

Lame pranoi se legalizimi i pallateve mbetet një një sfidë komplekse për shkak të problematikave të cilat shpesh herë kërkojnë vendime të posaçme të Këshillit të Ministrave.

Lame: Diku e kanë ndërtuar vetë nga firma, pastaj banori ka bërë shtesë, diku zihen për shtesën që e kam bërë unë apo e ka bërë firma? Është një mish-mash i vërtetë që kërkon vetëm qetësi në trajtimin e tyre.Kjo na ka gjetur një mënyrë zgjidhje që po e aplikojmë rast pas rasti, që do të thotë për grupe sa më të vogla apo pallate të veçanta për të bërë një vendim qeverie të veçantë në procedurat.

Kreu i ALUZNI-t e konsideron sukses të madh ndalimin e asaj që e konsideron “dalldia e ndërtimeve pa leje në Shqipëri”.

Lame: Ndërtimi pa leje sot në Shqipëri është një gjë supersporadike, është një nga gjërat e mëdha të arritura në këtë vend, ndalimi i ndërtimtarisë pa leje.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU