Largimi i De Biasit, lojtarët kuqezi: Faleminderit! Bashkë shkruam historinë

Largimi i paralajmëruar, por i papritur i menjëhershëm i trajnerit italian, Gianni De Biasi, nga drejtimi i Kombëtares shqiptare të futbollit, ka shokuar jo vetëm shumë prej tifozëve, por edhe një pjesë të mirë të futbollistëve kuqezi, të cilët janë grumbulluar nën epokën e tij.

Mes tyre spikat padyshim ai i ish-kapitenit, Lorik Cana, i cili ka theksuar në rrjetet sociale se respekti është e vetmja gjë që meriton tekniku italo-shqiptar. “Faleminderit për kontributin, eksperiencën, rrugëtimin tonë dhe miqësinë. Bashkë kemi përjetuar momente të paharrueshme për të gjithë ne”, shkruan Cana në “Instagram”.

Një postim që ka marrë edhe pëlqimin e Taulant Xhakës, një prej futbollistëve që ka pasur momente të mira dhe jo të mira nën drejtimin e kuqezinjve nga Gianni De Biasi.

Ndërkohë, edhe kapiteni aktual i Kombëtares, Ansi Agolli e ka falënderuar italianin për 6 vitet e tij në krye të kuqezinjve.

Në 6 vitet tuaja na mësuat shumë, na treguat se forca e grupit mund të sjellë rezultate të pamenduara, e na bëtë të besojmë më shumë te vetvetja. Bashkë arritëm të shkruajmë historinë e futbollit shqiptar dhe emri juaj qëndron aty me gërma kapitale. Po e lini skuadrën në një nivel më të lartë se ç’e gjetët, me pretendime për rezultate më të mira dhe për lojë të bukur. Jam i bindur se për të gjitha këto, shqiptarët do t’iu mirëpresin gjithmonë. Edhe ju jeni njëri prej nesh tashmë. Mirupafshim në rrethana të tjera, e uroj kurrë si kundërshtarë. Ishte një nder”, shkruan Agolli.

Nuk mund të mungonin mesazhet prekëse të dy prej futbollistëve shqiptarë që aktivizohen në kampionatin e vendlindjes së tij, Itali, Hysaj dhe Strakosha, respektivisht me Napolin dhe Lacion.

“Faleminderit mister De Biasi që ndryshove Shqipërinë nga një ekip i vogël në një ekip të madh. Faleminderit edhe për ata emocione të paharrueshme në Francë”, shkruan Hysaj.

“Faleminderit për gjithçka mister. Bëtë një popull të tërë të besonte se ëndrrat mund të bëhen realitet, ndërsa unë personalisht të falënderoj që më dhe besimin dhe mundësinë të debutoja me kombëtaren time”, shkruan portieri i Kombëtares kuqezi.

Edhe Andi Lila apo Sokol Cikalleshi kanë dedikuar nga një mesazh falenderimi.

“Mister, nuk më vjen turp të them se më vjen për të qarë, pasi nuk i kam pëlqyer asnjëherë ndarjet. Të falënderoj shumë për gjithçka bëre për mua, më ke ndihmuar të rritem si njeri dhe si lojtar. Realizuat ëndrrën më të madhe të fëmijërisë sime, të luaja në një Europian dhe të nderoja vendin tim. Do të jesh gjithmonë në zemrën time”, shkruan mbrojtësi shqiptar.

“Kush të ka njohur s’do të të harrojë kurrë. Kush do të të harrojë, s’të ka njohur kurrë me të vërtetë. Nga thellësia e zemrës, faleminderit mister!”, shkruan sulmuesi që aktivizohet në Turqi me Akhisar.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU