Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë tërhequr nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO), pas kritikave të vazhdueshme që zyrtarët e lartë amerikanë i kanë bërë rezolutave të kësaj agjencie, të cilën Uashingtoni e sheh si anti-izraelite. KOnfirmimi vjen nga zyrtarë amerikanë për Associated Press.
SHBA-ja e ndali financimin e UNESCO-s pasi kjo e fundit votoi për ta pranuar Palestinën si anëtare të saj në vitin 2011, por Departamenti i Shtetit e ka mbajtur një Zyre të UNESCO-s në zyrat e veta qendrore në Paris dhe ka kërkuar ta japë mendimin e vet rreth politikave por përherë prapa skenës.
Largimi është konfirmuar sot nga zyrtarët amerikanë, të cilët kanë folur në kushte anonimiteti për shkak se nuk kanë qenë të autorizuar për të folur publikisht për këtë vendim.
Largimi i SHBA-së vjen në momentin kur UNESCO po voton për ta zgjedhur drejtorin e ri.
Zyrtarë të lartë amerikanë, përfshirë ambasadoren e SHBA-së në Kombet e Bashkuara, Nikki Haley, e kanë denoncuar vazhdimisht UNESCO-n.
Ndërkohë, disa orë pas publikimit të këtij lajmi, të njëjtin vendim ka marrë edhe aleati i SHBA-së, Izraeli.
Amerika ka listuar pikërisht Izraelin si arsye të largimit të saj, duke e akuzuar këtë organizatë për paragjykime “anti-izraelite”
Mirëpo, sipas gazetës Foreign Policy, vendimi amerikan ka të bëjë edhe me planet për zvogëlimet e shpenzimeve.
Aktualisht mandati i drejtoreshës së përgjithshme të UNESCO-s, Irina Bokova, është në përfundim, anëtarët e kësaj organizate janë duke votuar për udhëheqësin e ardhshëm.
Pas dy ditë votimi të fshehtë, që mund të zgjasë deri të premten, kandidati nga shteti i Katarit, Hamad bin Abdulaziz al-Kawari, është duke udhëhequr ndaj kandidatit të Francës, Audrey Azoulay, dhe atij të Egjiptit, Moushira Khattab.
Mundësia e madhe që Kawari të bëhet udhëheqës i UNESCO-s konsiderohet nga Izraeli dhe SHBA-të si “akt anti-izraelit” dhe dështim që këtë post ta marrë një personalitet më i përshtatshëm. /b.d