Në vendet në zhvillim dhe ato të zhvilluara, ku vdekshmëria e foshnjave të porsalindura është e madhe, qeveritë dhe sipërmarrës nga e gjithë bota po shpërndajnë kutinë e bebes, që ofron nevojat bazë.
Është një traditë që daton që prej viteve 1930. Çdo nënë e re, pavarësisht prejardhjes dhe të ardhurave, merr një kuti për beben nga qeveria. Kutia përmban disa artikuj, si biberon, veshje, grykëse, produkte për t’u larë, si dhe një mbulesë të vogël.
Tradita e ka ndihmuar Finlandën të arrijë një nga normat më të ulëta të vdekshmërisë në botë te të porsalindurit.
Ideja u bë më publike kur qeveria finlandeze ia dha atë dukës dhe dukeshës së Kembrixhit kur po prisnin fëmijën e tyre të parë. Menjëherë pas kësaj, tre baballarë në Finlandë krijuan një biznes për të furnizuar klientët me kuti të tilla në të gjithë botën. Dy gra në SHBA bënë të njëjtën gjë. Ka një biznes të ngjashëm në Britani dhe shumë të tjerë gjetkë.
Ishte një ide e thjeshtë dhe shumë efektive, që profesionistët e shëndetit dhe sipërmarrësit socialë gjithnjë kanë dashur ta testojnë. Shpesh përmbajtja e kutisë ose mënyra si shpërndahet personalizohet që të zgjidhë problemet lokale, nga parandalimi i infeksioneve të shtratit të prindërve deri te rreziku i mbytjes. Dhe në shumë raste, një nga synimet kryesore është, si në ditët e hershme në Finlandë, të inkurajohen nënat të vizitojnë sa më shpesh klinikat.
Dy sipërmarrës të Afrikës së Jugut, Ernst Hertzog dhe Frans de Villiers, zbuluan se një kuti plastike që përdorej për të larë fëmijën në vend të shtratit, ishte më e dobishme për nënat e Afrikës së Jugut.
Por objektivi kryesor ishte që nënat të shkonin sa më shpesh për vizita mjekësore për të ndjekur shëndetin e bebes përpara lindjes dhe të mësonin se si të silleshin me të. Ndër të tjera, kjo pakëson rrezikun e vdekjes së nënës me HIV gjatë lindjes dhe pakëson rrezikun e kalimit të HIV te fëmija.
Një studente e mjekësisë në Universitetin Harvard, Karima Ladhani, pati një ide të ngjashme rreth përshtatjes së kutisë finlandeze për përdorim në Azinë e Jugut. Ajo krijoi projektin “Pakoja e bekuar” dhe e zhvilloi në një spital rural në Indi.
Kutia përmban mjete sterile për lindjen, që të parandalojë infeksionin gjatë lindjes dhe një rrjetë kundër mushkonjave që bebet të mos marrin malarien.
“Ne donim të ofronim zgjidhje me kosto të ulët për të shpëtuar jetën e nënave të reja, veçanërisht ndaj shkaqeve të vdekjes së foshnjave dhe nënave”, thotë Ladhani.
Por nuk ndodh vetëm në vendet në zhvillim që vdekshmëria te fëmijët të jetë një shqetësim.
Një projekt pilot i kutive të foshnjave është lançuar këtë muaj në Londër. “Ne e marrim për të mirëqenë që njerëzit kanë para për të ndarë fëmijën në një shtrat më vete, por kjo nuk është gjithnjë e vërtetë”, thotë Karn Joash, pediatrja pas planit.
Ajo gjithashtu mendon se kutia do t’u japë nënave mundësinë ta kenë fëmijën në të njëjtën dhomë me to, sepse është e lehtë për t’u mbajtur, gjë që është shumë e mirë për të krijuar një lidhje.
Rreth 600 kuti do t’u jepen grave që do të lindin në spital gjatë muajve në vijim.
Ka dhjetëra projekte të ngjashme në SHBA, por më i madhi do të lançohet në Teksas, kur katër spitalet e qytetit do të fillojnë dorëzimin e këtyre kutive të bebeve në përpjekje për të ulur vdekshmërinë e të porsalindurve, që ishte 7.1 për çdo 1000 lindje në 2013-n. Kjo, krahasuar me 5.9 për 1000 lindje në të gjithë SHBA-në.
Rreth 36 000 kuti pritet të jepen në dy vitet e ardhshme. Një objektiv kyç është të inkurajohen prindërit të mos flenë me bebet në të njëjtin shtrat.
“Ne kuptuam se komuniteti nuk ishte në dijeni të vdekshmërisë së të porsalindurve si një problem i zonës”, thotë Dyann Daley, personel i një prej spitaleve.
“Synimi ynë është të ofrojmë një kuti për çdo lindje në qytet dhe t’u japim fëmijëve një mjedis të sigurt ku të flenë, sepse është kritike të luftohen vdekjet nga mbytjet.”
Një projekt i kutisë së bebes do të zbatohet gjithashtu në Australi dhe projekti ka filluar që prej tetorit 2015 edhe në Kanada. Karen Benzies, profesoreshë në Universitetin e Kalgarit, thotë se synimi fillestar ishte të arrihej ndihma te familjet vulnerabël, por shpejt ata kuptuan se synimi i tyre ishte të mbështetej tranzicioni i familjeve me fëmijë të parë, nga shtatzënia në të qenët prindër.
Një element kyç është edhe dhënia e mësimeve. Çdo nënë dhe baba ka një mësues personal që u jep atyre leksione nga java e 32 e shtatzënisë deri në gjashtë muaj pas lindjes.
Qeveria finlandeze thotë se është në dijeni të interesit global që kanë kutitë e tyre të bebeve dhe shpesh ofron konsultim për vendet e tjera. Tani ajo po jep prezantime në ambasada në të gjithë botën. Shqip