Kur retorika politike e Lulzim Bashës prek budallëkun diplomatik

Prej disa ditësh kryetari i PD-së, Lulzim Basha, ka venë në epiqendër të sulmeve të tij akuza ndaj zyrtarëve të lartë perëndimorë se janë korruptuar nga qeveria me paratë e drogës së Edi Ramës. Akuzë kjo shumë e fortë e cila po përcillet me indiferencë, të paktën në publik, nga qarqet diplomatike të Tiranës. Por në fakt nuk duhet të jetë kështu. Lulzim Basha duket se e ka marrë shumë lehtë këtë punë. Ai po akuzon në mes të Tiranës, kancelaritë perëndimore, qeverinë gjermane, Brukselin, SHBA-të, OSBE-në, PE-në e gjithëkënd që i ka thënë se rruga që po ndjek duke mos votuar vetting-un, duke bojkotuar Kuvendin e duke kërcënuar se do të bojkotojë edhe zgjedhjet, është tërësisht e gabuar. I vetmi që ka gjetur mirëkuptim për Bashën është Ilir Meta, por ky nuk mund të konsiderohet perëndimor pasi ka një stof politik tipik ballkanik.

Akuzat që bën Basha në adresë të zyrtarëve më të lartë perëndimorë natyrisht shumë shpejt do të marrin një përgjigje të merituar. Por nga ana tjetër këto akuza për ndërkombëtarë të blerë me para droge janë sa serioze, por edhe qesharake, pasi po na bëjnë gazin e botës për nivelin tmerrësisht të ulët që përfaqëson një politikan, i cili pretendon që nesër kryeministër të ulet në tryezat e këtyre ndërkombëtarëve që sot i akuzon të blerë me para droge. Në 25 vite demokraci asnjë politikan shqiptar realisht nuk ka shkuar kaq larg sa të akuzojë në grup ndërkombëtarët si të blerë me para droge.

Qartësisht qeveria gjermane i ka thënë Bashës të kthehet në Kuvend e të votojë vetting-un, si dhe të hyjë në zgjedhje. Po kështu është deklaruar edhe qeveria amerikane nëpërmjet ambasadorit të saj në Tiranë, por edhe nëpërmjet nënsekretarit të shtetit.  Në të njëjtën linjë kanë qernë edhe zyrtarët më të lartë të BE-së nëpërmjet shefes për politikën e jashtme Mogherini. Për të vijuar më pas me shumë kancelari perëndimore, qeverinë gjermane, zyrtarë të BE-së, raportues të PE-së etj., etj. Të gjithë këta i ka blerë Rama me para droge?! Njerëzit natyrisht qeshin kur dëgjojnë akuza të tilla. Por në fakt nuk është shumë për të qeshur. Problemi është shumë serioz. Natyrisht që Basha do paguajë një çmim për këto që nxjerr nga goja badihava dhe pa menduar. Nuk është se këtu po shan Sorosin dhe duket se çështja është pak personale, ndonëse thuajse të gjithë bashkëpunëtorët më të afërt të Bashës kanë marrë miliona USD me projekte nga Sorosi. Edhe akuzat në adresë të Sorosit janë të papranueshme. Por gjithsesi në rrafshin personal gjithkush ka opinionin e tij.

Basha po kur lëshon akuza në bllok ndaj ndërkombëtarëve, të cilët të thonë ndërprit bojkotin, shko në Kuvend, voto vetting-un e mos bojkoto zgjedhjet. Dhe këtu s’kemi të bëjmë thjesht me gjëra personale, por me sulme ndaj institucionesh e shtetesh konkrete. E në perëndim institucionet nuk janë si grupseksionet e PD, që mund t’u thuash ç’të të vijë për mbarë. Basha ka qenë ministër i jashtëm dhe i di shumë mirë pasojat që të vijnë kur bën akuza në ajër e aq më shumë për zyrtarë ndërkombëtarë të blerë me para droge. Këtyre akuzave nuk u shpëton dot as duke bërë viktimen sikur rreth teje ka komplot. S’ka asnjë komplot. Thjeshtë ka rregulla loje që nëse nuk i zbaton, atëhere prit edhe pasojat përkatëse. Nëse e konsideron veten të përkohshëm në krye të PD-së, thjeshtë për të djegur Vetting-un, atëhere ja vlen që këto akuza të mos merren aspak seriozisht. Por basha po krijon një tokë të djegur rreth vetes, që mund t’i kushtojë shtrenjtë në raport me të huajt.

Armando Meta

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU