Kur kolaboracionistët kërkonin një federatë greko-shqiptare?!

Nga Ben Andoni

A është rrezikuar Shqipëria nga nacionalistët e larguar me trupat pushtuese pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore dhe nga ata që u etiketuan nga regjimi i Enver Hoxhës si kolaboracionistë?! Sot, është ‘e mjegullt’ prej heshtjes së historianëve tanë që mundohen të gjejnë ide alternative, që të përcjellin vetëm në një kah: Dobinë për sulmin ndaj komunizmit! Dëshmitë e kohës janë disi kokëforta, por të gjitha të çojnë në një kah, që të arratisurit shqiptarë bashkëpunojnë me Greqinë dhe pastaj me ish-Jugosllavinë, për të arritur synimet e tyre, që janë rrëzimi i rrëgjimit, përkundrejt beneficeve ndaj vendeve fqinje. Mit’hat Frashëri do i kërkojë Greqisë tre baza për stërvitjen e diversantëve. Ahmet Zogu përpiqet të mbledhë të gjithë kahun anti-komunist. Ndërkohë që një nga figurat më të njohura anti-komuniste Abaz Ermenji merr një rrogë mujore 1.500.000 Dhrahmi në muaj. Shumë nga dëshmitë direkte, që zbulimi shqiptar i ka mbledhur në atë kohë dhe që u referohet dëshmive të procesit gjyqësor ndaj tre diversantëve që u kapën në vitin 1949 në Shqipëri, tregon për vështirësitë që hasin këta të fundit por edhe përçarjen e madhe. Dëshmitë e mësipërme janë dhënë nga goja e Et’hem Çakos. I ashtuquajturi nacionalizëm gjithmonë e ka përballur keq Shqipërinë. Të kujtojmë luftën e madhe që bënë këta për t’ia bërë rrugën e vështirë pavarësisë shqiptare më 1913, kurse në fakt në vend të platformave kombëtare përcjellin vetëm kaos. Ndaj ishte lehtë të përqafonin platformën e “Shqipërisë së Madhe” që u bë dhuratë nga pushtimi fashist, ndërkohë që ky koncept sot e kësaj dite i hap andralla shqiptarëve. Më e habitshme ka qenë përqafimi i platformave të huaja, pa u thelluar në atë që përbënte rrezik për vendin. “Njëherësh, si organizata e Ballit, ashtu edhe legalistët e Zogut përqafuan projektin e një federate ballkanike greko-jugosllavo-shqiptare, sapo morën vesh se për të po punohej në MPJ të Britanisë së Madhe. Kuptohet, projekti i një federate të tillë i skicuar nga anglezët, nuk i jepte Shqipërisë as Kosovën e as Çamërinë. Në frymën e projekteve të tilla, si ballistët ashtu edhe zogistët kryen bisedime të fshehta me serbët dhe me grekët. Në vitin 1941, Muharrem Bajraktari dhe përfaqësues të Zogut në Stamboll filluan bisedime me përfaqësues të Drazha Mihajlloviçit, eksponent serb monarkist e antishqiptar, për të ripërtërirë marrëveshjet e fshehta të bëra me Pashiçin nga Esad Pasha në 1914, dhe nga Ahmet Zogu, në 1924. Bisedimet synonin krijimin e një federate jugosllavo-shqiptare, me kusht që Jugosllavia të ndihmonte “rilindjen zogiste”, d.m.th. rikthimin e Zogut në pushtet me ndihmën e bajonetave sllave, si në vitin 1924. Kur e pa se Mihajlloviçi nuk kishte gjë në vijë dhe në Jugosllavi po triumfonin komunistët e Titos, Muharrem Bajraktari iu përkëdhel grekëve, duke paraqitur projektin e një federate “pellazgjike” greko-shqiptare”, citohet profesor Pëllumb Xhufi.

Por në këtë dossier jepen referime sesi Kryetari i Ballit Kombëtar, Mit’hat Frashëri në emër të Ballit dhe Koço Kota në emër të zogistëve, hynë në bisedime me grekët për krijimin e një federate greko-shqiptare, citojmë profesorin Xhufi. I gjithë ky projekt do të dështonte se vetë grekët donin shumë më tepër. Këtë qëndrim e shpalosën sidomos në Konferencën e Paqes, ku Shqipëria u rrezikua krejt. (Javanews)

 

***

Përçarja “e nacionalistëve” dhe përpjekja e një Federate me Greqinë

(Pjesë nga gjyqi dhe dëshmitë e Et’hem Çakos)

Prokurori: Ju folët i pandehur për mbledhjen e Kairos më 1947. Doni të saktësoni?

Ethemi: Spiunazhi anglez, në pritje që situata të ndryshonte në Jugosllavi, nxiti Zogun, i cili ishte një instrument politik, të provokonte një mbledhje të grupeve politike të emigruara me synim për të realizuar bashkimin e tyre nën drejtimin e tij. Dhe kështu, nga fillimi i 1947 deri në momentin e mbledhjes Zogu vazhdoi të dërgojë në Itali shumë shpesh ndihmësin e tij në fushë Hysen Selmanin, i cili pati kontakte me shefat (krerët) e Ballit dhe të Bllokut. Ai u propozoi atyre të dërgonin në Egjipt përfaqësuesit e tyre që duhej të diskutonin me Zogun për çështjen e bashkimit të grupeve dhe për formimin e një qeverie në mërgim. Hysen Selmani në fillim nuk u vuri drejtuesve tanë asnjë kusht dhe u tha atyre se të gjitha çështjet do të diskutoheshin dhe zgjidheshin në Egjipt. Si rrjedhim Balli autorizoi Ali Këlcyrën dhe Koço Mukën që ndodheshin në Egjipt, të fillonin tratativat me Zogun. Blloku dërgoi Ernest Koliqin dhe autorizoi Mustafa Krujën që të bisedonte, i cili ndodhej në Egjipt. Nga ana e grupit të Legalitetit qenë dërguar nga Italia Sali Myftiu dhe Hiqmet Delvina, nga Turqia Juka dhe Abdurrahman Dibra. Nga Italia u nis edhe Xhaferr Deva. Për llogari të Zogut në mbledhje morën pjesë: Abaz Kupi dhe Hysen Selmani. Zogu kërkoi që të gjithë grupet të bashkoheshin dhe të formonin një qeveri me programin e mëposhtëm dhe kushtet e mëposhtme: 1) që të njiheshin të gjitha privilegjet mbretërore; 2) që të grumbulloheshin në Greqi dhe në Itali të gjitha forcat e emigrantëve shqiptarë nën një komandë të vetme të drejtuar prej tij. Financimi i tyre do të bëhej nga Zogu i cili do të kishte si shef të shtatmadhorisë Abaz Kupin. Zogu dha sigurime për mbledhjen se ai kishte miratimin e qeverisë greke për përqendrimin e një pjese të emigrantëve në territorin e saj për të sulmuar Shqipërinë. Të gjithë të pranishmit qenë dakord me këtë propozim, por Koço Muka dhe Ali Këlcyra deklaruan se e gjykonin të nevojshme të kërkonin mendimin e Komitetit Qendror të Ballit në Itali dhe u komunikuan menjëherë Mitatit dhe Hasanit rezultatet e mbledhjes.

Atëherë u mblodh Komiteti Qendror i Ballit dhe vendosi që mund ta miratonte propozimin e Zogut vetëm nëse ai nuk insistonte që të ishte i njohur si mbret që në atë moment, sepse ky fakt, politikisht do ta humbiste Ballin. Megjithatë, përpara se të jepte një përgjigje përfundimtare, Mitati e gjykoi të nevojshme të kërkonte mendimin e Hendersonit. Por ky i tha se nuk kishte asnjë udhëzim në këtë drejtim dhe se Balli nuk duhej të ngutej për bashkimin e grupeve. Atëherë Mitati u kërkoi Ali Këlcyrës dhe Koço Mukës që të ndërprisnin tratativat me Zogun. Por këta të fundit që ishin shitur tek Zogu për para, refuzuan të zbatonin udhëzimet e Komitetit Qendror dhe për këtë arsye, më vonë u përjashtuan nga Komiteti Qendror i Ballit.

Edhe krerët e Bllokut Indipendent morën nga spiunazhi italian udhëzime për të mos pranuar vendimet e Zogut. Por Mustafa Kruja, që përfaqësonte Bllokun në Konferencë, refuzoi që t’i bindej këtij urdhri meqënëse edhe ai i ishte shitur Zogut.

Prokurori: Kolegë gjyqtarë për të konfirmuar deklarimet e të pandehurit që janë në harmoni me provat e tjera që janë sjellë, unë kam këtu një artikull të Mustafa Krujës ku ai deklaron se i ka prishur marrëdhëniet me krerët e Bllokut. Këtu shfaqet poshtërsia e karakterit të Mustafa Krujës, Ali Këlcyrës, Koço Mukës etj., që shumë herë e kanë tradhëtuar atdheun e tyre dhe që tani tradhëtojnë padronët e tyre me rradhë duke u vënë në shërbim të ofertës më të madhe. Mustafa Kruja, Ali Këlcyra dhe Koço Muka, në të kaluarën hiqeshin si armiqtë më të flaktë të Zogut, aktualisht, për të holla, bëjnë aleancë me të për të kryer veprime kriminale kundër popullit dhe atdheut. Ja ku arrin tradhëtia e tyre. Këta njerëz për t’i lënë rrugë të lirë urrejtjes së tyre kundër popullit, bashkohen jo vetëm me Ballin, me Legalitetin, etj., por edhe me vetë Greqinë. (Duke iu kthyer të pandehurit). Ku qëndron sot Zogu dhe kush e financon?

Ethemi: Qëndron pranë mbretit Faruk të Egjiptit dhe është drejtpërdrejtë i financuar nga ky. Nga ana tjetër ai merr shumë të holla nga shqiptarët e Egjiptit të cilët shpesh janë të detyruar nga policia egjiptiane për t’i derdhur në formën e taksave.

Prokurori: Mund të na thoni i pandehur, përse Hendersoni nuk e lejoi Mitatin të përfundonte marrëveshjen?

Ethemi: Amerikanët nuk qenë të interesuar për bashkimin: kishte qenë spiunazhi anglez që kishte organizuar Konferencën e Kairos.

Prokurori: Ju keni thënë më parë se qetë ngarkuar nga Hasan Dosti të shkonit në Janinë; na thoni cilat janë udhëzime ju qenë dhënë në këtë drejtim.

Ethemi: Siç kam thënë, në gusht ose në shtator 1946 u zhvillua një takim midis Kostandinos Himarios nga njëra anë, dhe Mitat Frashërit dhe Hasan Dostit nga ana tjetër. Këta i kërkuan Himariosit tre baza në territorin grek, një në Janinë, një në Korfuz dhe një tjetër në Follorinë. Këto baza duhej të shërbenin për të organizuar dhe hedhur agjentë diversionistë në Shqipëri. Hasani më tha se për këtë qëllim unë isha caktuar për të shkuar në Janinë si përfaqësues i Ballit Kombëtar dhe për këtë mision duhej të bashkëpunoja me majorin Zahariadis dhe me të tjerë që i kam cituar më përpara. Atje do të hapeshin edhe kurse të spiunazhit, me leksione për përdorimin e armëve, të eksploziveve, për mjetet që përdoren për shkatërrimin e urave, depozitave etj.

Prokurori: Ju e keni ditur të gjithë këtë, apo jo i pandehur? Ku e keni mësuar?

Ethemi: Nga që kisha frekuentuar kursin në Bari. Organizatorët e kursit në Greqi duhej të ishin anglezët; grekët, italianët dhe amerikanët do të ishin instruktorë. Nga këto baza do të futeshin në Shqipëri banda për të bërë propagandë për përmbysjen e pushtetit popullor me dhunë, për të vrarë përfaqësues cilësorë të Partisë, qeverisë, të ushtrisë etj., për të mbjellë panik dhe për të shkaktuar shqetësime në rendin publik. Ne kishim urdhër të vrisnim edhe fshatarë të thjeshtë për t’u marrë atyre dokumentet që mbanin me vete, letërnjoftimet etj., që më vonë të mund t’i falsifikonim. Megjithatë, për arsye që më mbetën të panjohura, unë nuk shkova në Janinë.

Prokurori: Ku do të hapnit kurse të tjera spiunazhi, përveç atyre të Greqisë?

Ethemi: Kishim marrëveshje të tilla për të hapur kurse, edhe me italianët. Për këtë qëllim Mitati, Hasani dhe Vasil Andoni shkuan tek Scelba, tek De Gasperi dhe tek njëri nga drejtuesit e policisë italiane, Migliori, dhe ranë dakord.

Prokurori: Po Blloku përfundoi marrëveshje me qarqet reaksionare italiane?

Ethemi: Sa për Bllokun, ai nuk kishte nevojë të lidhte marrëveshje me qarqet italiane, sepse kjo marrëveshje ekzistonte në realitet në mënyrë permanente, si arsye e jetës së saj.

Prokurori: Hasani ju tha gjë tjetër për misionin tuaj në Greqi?

Ethemi: Hasani më tha që, në lidhje me kushtet që kishin vënë grekët, ne duhej t’u dorëzonim gjithnjë një raport spiunazhit grek për të gjitha informacionet që do të grumbullonim.

Prokurori: Si mendonte Balli të qeveriste Shqipërinë?

Ethemi: Balli mendonte të formonte një qeveri sipas modelit perëndimor, duke mbajtur lidhje mjaft të ngushta me anglo-amerikanët dhe duke vepruar sipas udhëzimeve të tyre.

Prokurori: Ju keni thënë më parë se pas mbledhjes së Kairos duhej të realizohej bashkimi i grupeve të ndryshme. Përse Hendersoni nuk e lejoi Mitatin të realizonte këtë bashkim?

Ethemi: Sepse Konferenca e Kairos ishte organizuar nga spiunazhi anglez, kundër interesave të amerikanëve. Zogu zhvilloi një aktivitet të madh për të realizuar këtë bashkim. Ai dërgoi në Itali Gaqo Gogon, në Francë dërgoi motrat e tij me Hysen Selmanin dhe në Greqi një farë Abdyl Sula. Ata kishin mision popullarizimin midis emigrantëve idenë e bashkimit të grupeve të ndryshme.

Prokurori: Mbas mbledhjes së Kairos, Balli pati direktiva të realizonte bashkimin dhe të vihej në krye?

Ethemi: Jo. U mendua se ishte më mirë që të ishin shumë grupe.

Prokurori: Dhe më vonë?

Ethemi: Më vonë, në fillim të 1948, thuhej, dhe shumë hapur, se në Ballkan priteshin ndryshime të mëdha. Në këtë situatë të re ishte e nevojshme të mbahej një farë uniteti i grupeve të ndryshme. Por ne gjithmonë duhet të qëndronim në krye.

Prokurori: Në këtë kohë ishte formuar ndonjë parti tjetër?

Ethemi: Po, Partia Katundare nën kryesinë e Seit Kryeziut. Në programin e tij jepej të kuptohej se Partia ishte krijuar në malet e Shqipërisë që në vitin 1943 dhe thuhej se në radhët e saj nuk do të pranoheshin kolaboracionistët, por vetëm njerëzit e ndershëm.

Prokurori: Kur ishit në Shqipëri, keni dëgjuar të flitej për një parti të tillë?

Ethemi: Absolutisht jo, sepse një organizatë e tillë nuk ka ekzistuar kurrë.

Kryetari: I pandehur, keni thënë se ju të Ballit, kishit një marrëdhënie me Greqinë. Kush ju përfaqësonte atje?

Ethemi: Atje përfaqësoheshin kryesisht nga Abaz Ermenji, i cili kishte rezidencën e tij në Athinë. Kishte edhe shumë kolaboracionistë të tjerë, të cilëve qeveria greke u paguante rroga të mëdha. Por eksponenti kryesor ishte Abaz Ermenji, i cili merrte 1.500.000 dhrahmi në muaj.

Kryetari: Kush e përgatiti bandën e spiunëve dhe të diversantëve?

Ethemi: Lista e bandave për spiunazh u përgatit nga Hasan Dosti dhe pastaj iu dërgua amerikanëve për t’u njohur dhe miratimin e nevojshëm.

Prokurori: Cilat ishin ngjarjet e rëndësishme që duhej të ndodhnin në Ballkan?

Ethemi: Në fillim kjo u mbajt shumë sekret, ja përse ne nuk dinim asgjë. Më vonë mësuam se bëhej fjalë për kthesën e Titos. Në kampet e përqendrimit u instaluan altoparlante që ftonin emigrantët shqiptarë për bashkim dhe thoshin se duhej të merreshin masa për t’u bashkuar të gjithë sepse kishte ardhur momenti për të vepruar.

Prokurori: Në këtë rast Balli bëri mbledhje?

Ethemi: Po, Balli pa humbur kohë organizoi një konferencë në Torino sipas udhëzimeve të Hendersonit dhe Stevens.

Në këtë konferencë kanë qenë të ftuar delegatët e Partisë Katundare. Mori pjesë edhe Ibrahim Farka, anëtar i Legalitetit, por pa autorizimin e Zogut. Nga të pandehurit që ndodheshin në Francë, mori pjesë djali i Koço Kotes, Nuci Kota. Elementet e Zogut nuk morën pjesë zyrtarisht, sepse Zogu nuk hiqte dorë nga pretendimet e tij për të qenë mbret.

Prokurori: Çfarë u diskutua në këtë konferencë?

Ethemi: Në këtë konferencë u diskutua për formimin e një organizate të vetme dhe, sipas udhëzimeve të amerikanëve, për përmbysjen e qeverisë së Tiranës. U diskutua problemi i bashkimit të emigrantëve me qëllim për të hedhur bazat për formim, në të ardhmen, të një komiteti që të përfaqësonte të gjitha tendencat e vetë emigrantëvedhe të drejtonte luftën e tyre kundër qeverisë së Tiranës. U ngrit edhe problemi i Zogut dhe Mitat Frashëri tha se nuk mund të kompromentoheshin rezultatet e mbledhjes për t’i bërë qejfin Zogut. “Ne jemi- tha ai – për bashkëpunimin me Legalitetin, por me kusht që Zogu të heqë dorë nga pretendimet e tij. Nëse Zogu na kundërvihet, do t’u bëjmë thirrje personaliteteve të ndryshme të Legalitetit”. Rreth Bllokut, Mitati tha se ai duhej të eliminonte nga kryesia disa elementë si Ernest Koliqi, Kol Bib Mirakaj etj, të cilët qenë shumë të kompromentuar dhe përceç kësaj, na kompromentonin. Mitati për domosdoshmërinë e forcimit të lidhjeve me kolonitë dhe me emigrantët në Greqi dhe në Turqi dhe propozoi të autorizohej të bënte personalisht një udhëtim për propagandë në këto shtete. Ky propozim u pranua. Mitati kishte rënë brenda dhe kishte rënë dakort për të gjitha këto me personalitete kompetente amerikane. Konferenca miratoi propozimin e Mitat Frashërit dhe përfaqësuesit e grupeve të ndryshme u impenjuan që t’ua shtronin këto vendime kryesive të grupeve që ato përfaqësonin.

Kryetari: Çfarë keni bërë për të zbatuar vendimet e konferencës së Torinos?

Ethemi: Më 29 maj, në shtëpinë e Nuredin Vlorës në Romë, mbajtëm një kongres në të cilin morën pjesë delegatë të ardhur nga të gjitha anët. Morën pjesë në mbledhje Mitat Frashëri, Lec Kurti, Hasan Dosti, Vasil Andoni, Nuredin Vlora, Halil Maci, Xhemil Meço dhe unë. Ishim gjithsej nja tridhjetë. Kongresi diskutoi për krijimin e Komitetit Qendror dhe për vendimet e Konferencës së Torinos. Gjatë diskutimeve dolën shumë probleme, sepse secili kërkonte të vihej në krye të lëvizjes. Për shembull, Halim Begeja përpiqej me të gjitha mjetet të hynte në kryesi. Më në fund Xhemil Meço paraqiti një listë që u miratua nga Mitati dhe Hasani.

Në këtë listë si kryetar figuronte Mitat Frashëri, si nënkryetar Lec Kurti dhe Hasan Dosti dhe si anëtarë Nuredin Vlora e Vasil Andoni; dy vende u lanë vakant; një për anëtarët e Ballit të Athinës dhe tjetri për ata të Sirisë. Në këtë Kongres u diskutua edhe për Ali Këlcyrën e për Koço Mukën që Mitati i akuzonte se ishin shitur te Zogu dhe qenë hajdutë.

Mitati propozoi t’i përjashtonin nga rradhët e Ballit Kombëtar, ndërsa Hasan Dosti, propozoi t’i përjashtonin vetëm nga Komiteti Qendror, duke i lënë si anëtarë të thjeshtë të Ballit. Në këtë Kongres Mitati lexoi dy letra: një të dërguar nga Abaz Ermenji dhe tjetrën të dërguar nga Zef Pali që njoftonin se nuk pranonin në asnjë mënyrë një bashkëpunim me Bllokun dhe se, në rast se Balli hiqte dorë nga ky bashkëpunim, do të shkëputeshin.

Prokurori: Përse Abaz Ermenji nuk e pranonte një bashkëpunim të tillë?

Ethemi: Sepse ishte agjent i spiunazhit grek. Grekët nuk e donin këtë bashkim për shkak të influencës që mund të fitonte Blloku, domethënë që do të ishte kundër interesave të tyre në Epirin e veriut.

Prokurori: Çfarë bënë atëherë anglo-amerikanët?

Ethemi: Në qershor 1948 Mitat Frashëri, sipas udhëzimeve të amerikanëve, shkoi në Greqi edhe me Abaz Ermenjin u takua me Pipinelis, ekspert për çështjet shqiptare, dhe ish-konsull i Greqisë në Shqipëri. Pas këtij takimi, Mitati i dërgoi një letër Hasan Dostit në të cilën shkruante: “”….Me grekët ne jemi dakord, por ji i kujdesëshëm me amerikanët”. Që atje ai u nis për në Turqi por nuk e di se për çfarë shkoi atje. Në atë letër Mitati i shkruante Hasanit se në Itali, do të vinte për t’u takuar me të, avokati Vangjel Qirko, i dërguar i ministrisë së punëve të Jashtme greke.

 

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU