“Kur do paguhemi”? Audio- përgjimi, ja si u zbulua inskenimi i “Babales” me kunatin

Një përgjim bisede mes Albert Veliut dhe kunatit të tij Fredi Alizoti teksa bisedonin për pazaret e audiopërgjimit, është prova më e fortë e Prokurorisë për hetimet e nisura për rastin e vëllait të ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.

Burimet thonë se në bisedën e përgjuar, Alizoti e pyet në telefon “Babalen” se kur do paguhen. Ndonëse ekspertiza e audio-përgjimit e kryer në laboratorin anglez ende nuk është e qartë se çfarë ka përcaktuar, sërish edhe kjo sipas Prokurorisë tregon se gjithçka ishte një inskenim.

Pasi Gjykata firmosi urdhërarrestet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda për Albert Veliun dhe kunatin e tij, Fredi Alizotin, Policia ekzekutoi vetëm një nga këto urdhra, duke arrestuar Alizotin.

Ndërsa për “Babalen”, ende nuk është arritur të ekzekutohet vendimi i Gjykatës, për arsye se ai ndodhet në Kosovë. Burime nga Policia thanë se kanë nisur procedurat me Policinë e Kosovës, në mënyrë që të bëhet e mundur kthimi i tij në Shqipëri, por ende nuk ka një vendim konkret. Sa i përket gazetarit Jetmir Olldashi, Gjykata ka vendosur detyrim paraqitjeje, me kërkesë të Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

POLICIA

Në njoftimin e Policisë së Shtetit thuhet se më datë 06.10.2018, nga ana e oficerëve të Policisë në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë u bë ekzekutimi i Vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda për shtetasit: Fredi Aalizoti, 45 vjeç, banues në Fier (për këtë shtetas është caktuar masa e sigurisë “Arrest me burg”, për veprat penale “Kallëzim i rremë i kryer në bashkëpunim”) dhe Jetmir Olldashin, 37 vjeç, banues në Tiranë (për këtë shtetas është caktuar masa e sigurisë “Detyrim paraqitjeje”). “Shtetasin Albert Veliu, 51 vjeç, banues në Vlorë, ndaj të cilit është caktuar masa e sigurisë ‘Arrest me burg’, për veprat penale ‘Kallëzim i rremë i kryer në bashkëpunim’ dhe ‘Kalim i paligjshëm i kufirit’, parashikuar nga nenet 305,25 dhe 279 të Kodit Penal), shërbimet e Policisë nuk e kanë ndaluar ende. Po kryhen procedurat e duhura për ekzekutimin e këtij vendimi”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.

HETIMET

Pikë e fortë referuese e Prokurorisë për rastin në fjalë ka qenë ekspertiza e britanikëve, të cilët përmes një letërporosie të përcjellë nga Ministria e Drejtësisë, thoshin se audio-përgjimi i sekuestruar nga Prokuroria nuk ishte autentik.

Gjithashtu, zëri në audio-përgjim, që pretendohej se i përkiste Agron Xhafajt, nuk mund të konfirmohej se ishte i tij, pasi cilësia ishte shumë e dobët. Madje, britanikët flasin për dy zëra të ndryshëm në audio- përgjim, në rolin e Agron Xhafajt. Prokuroria e Krimeve të Rënda pati vënë në përgjim Fredi Alizotin dhe Albert Veliun për rastin në fjalë. Gjatë gjithë kësaj kohe, është mundur të zbulohet nga bisedat telefonike të këtyre të fundit se audiopërgjimi nuk ishte gjë tjetër vetëm se një inskenim dhe se rolin e Agron Xhafajt e ka luajtur në bisedë shtetasi Fredi Alizoti, që është edhe kunati i Albert Veliut. /PANORAMA

ma.me

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU